Miliarderi amerikan, Bill Gates ka bërë një paralajmërim se ka ende një rrezik “mbi 5%” që bota të mos e ketë kaluar akoma më të keqen e pandemisë Covid-19.
Pronari i “Microsoft” u shpreh se nuk donte të tingëllonte keq, por megjithatë ai tha se ekzistonte rreziku që mund të krijohej një variant edhe më transmetues dhe akoma më fatal i Covid.
Në fakt, kjo s’është hera e parë që ai bën të tilla parashikime. Kujtojmë se në dhjetor të vitit 2021, ai paralajmëroi miliona ndjekësit e tij në “Twitter” që të përgatiteshin për pjesën më të keqe të pandemisë, pasi kishte paralajmëruar më parë në 2015 se bota nuk ishte gati për pandeminë e ardhshme.
“Ne jemi ende në rrezik që kjo pandemi të gjenerojë një variant që do të ishte edhe më transmetues dhe akoma më fatal. Nuk ka gjasa, nuk dua të jem një zë zymtësie, por është më shumë se 5 për qind rreziku që nga kjo pandemi, të mos e kemi parë endes më të keqen”, theksoi Gates, sipas DailyMail.
Deri më tani, Covid-19 ka shkaktuar rreth 6.2 milionë viktima në mbarë botën që nga marsi 2020, por numri i rasteve dhe vdekjet kanë rënë në javët e fundit.
