Partizani mbetet aktiv në merkaton e verës. Të kuqtë kanë transferuar katër lojtarë deri tani dhe repartit të sulmit i është dhënë rëndësia kryesore.
Tri prej zyrtarizimeve janë Skuka, Isgandarli dhe Garsia, që mund të funksionojnë bashkë për gjithë repartin. Asgjë nuk është mbyllur për sulmin. “Panorama Sport” mëson se Bintsuka tashmë është gjithnjë e më pranë rikthimit te Partizanit.
TRANSFERIM- Arzhonzh Bintsuka mund të konsiderohet një transferim, në rast zyrtarizimi nga Partizani. Sulmuesi nga Kongo ka mbetur i lirë pas përfundimit të sezonit dhe rinovimi do të kishte mjaft peshë. Bintsuka e njeh mjaft mirë kampin e kuq dhe nuk do të kishte nevojë për ambientim. 22- vjeçari e ka treguar talentin që nga afrimi tek ekipi i parë. Bintsuka në dy sezonet e fundit rezulton lojtari me më tepër kontribut para portës, pas Rrapajt. Ky i fundit, që largohej në janar, në të gjithë kompeticionet ka kontribuar 25 gola (16 gola+9 asist). Në anën tjetër, Bintsuka po aq sa Cara, ka kontribuar në 23 gola. Sulmuesi nga Kongo shënoi 17 gola me fanellën e Partizanit nga sezoni 2023- ‘24, si asnjë tjetër, dhe asistoi 6 të tjerë.
EUROPA- Bintsukën e intrigon Europa duke luajtur me Partizanin. Talenti i Kongos do të kishte kështu mundësinë të merrte sërish ftesën e përfaqësueses së tij. Bintsuka ka dhënë çdo sinjal për rikthimin te Partizani gjatë qershorit. Shpërndarja e përmbajtjeve që e lidhin me Partizanin, identifikimi me të kuqtë në rrjetet sociale janë elementë që të çojnë vetëm te bashkimi. Koha në anën tjetër po tregohet armiku kryesor. Europa po afron dhe Bintsuka me shumë gjasa do të ishte gati si përforcim për turin e dytë, nëse Partizani kualifikohet ndaj Kaljus.
SULMI- Partizani ka një repart, që shfaqet i plotësuar. Bëhet fjalë për sulmin. Të gjitha rolet janë të dubluara duke dhënë alternativa, nga të cilët pritet shumë. Në krahun e majtë të sulmit ndodhen Gudjufi dhe Isgandarli. Nëse ky i fundit u afrua në qershor, Gudjufi është investim i Partizanit nga janari. 21-vjeçari ka kontratë të vlefshme deri në vitin 2029 dhe besimi qëndron i madh për të ardhmen e tij. Isgandarli është afruar si futbollist që mund të bëjë diferencën, ndërsa u rikthye në Shqipëri me parametra zero pas eksperiencës me Boluspor. Për qendrën e sulmit qëndrojnë disa alternativa. Gjithçka nis nga Skuka dhe Keko. Si njëri dhe tjetri kanë treguar se dinë të shpërthejnë, nëse u besohet roli i sulmuesit me numër 9. Më tej qëndrojnë dy talente nga akademia, që po mahnitin kampin e kuq. Bëhet fjalë për Tedi Malajn dhe Elson Himallarin, të cilët kanë nuhatje të portës dhe mund të bëjnë mirë për çdo minutë të fituar. Më afrimin e Bintsukës do të kishte alternativa “luksi” për repartin ofensiv. Krahu i djathtë i sulmit ndërkohë mund të bëhet elementi surprizë. Agim Zeka dhe Judah Garsia kanë mundësinë që të tregojnë vlerat e tyre. Garsia shënoi në miqësoren e fituar ndaj Rabotnickit, ndërsa Zeka pas një sezoni ku u ambientua mund të tregojë potencialin e plotë.

