Shoqëria “Sokolaj sh.p.k,”, e cila transportoi 2800 ton mbetje të rrezikshme të ‘Kurum’, është themeluar në vitin 2006 me seli në Durrës. Drejtues të kësaj kompanie janë Gjovana dhe Doni Sokolaj. Kjo shoqëri është pajisur me 2 leje nga Ministria e Mjedisit:
-transport të mbetjeve të rrezikshme
-eksport të mbetjeve jo të rrezikshme
“Shoqëria ‘Sokolaj’ nuk rezulton të ketë Autorizim për eksportim të mbetjeve të rrezikshme dhe as nuk i është aprovuar një kërkesë e tillë për periudhën 2022-2024”, theksohet në dosjen hetimore të siguruar nga gazetarja e Report Tv Keti Banushi. Në dosje gjithashtu thuhet se ‘Sokolaj; ka blerë nga ‘Kurum’ artikullin “Oksid Zinku” pa pasur leje të veçantë për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme. Për transportimin e këtyre mbetjeve kërkohet autorizim i posaçëm.
Shoqëria ‘Sokolaj’ ka aplikuar në Ministrisë e Mjedisit për një leje të tillë më datë 12.12.2022, ndërsa në përgjigje i është kërkuar plotësim dokumentacioni. Kërkesa nuk është përmbushur dhe rrjedhimisht veprimtaria e zhvilluar më pas është e paligjshme.
Hetimi zbulon se dy kompanitë i hapën rrugën kontrabandimit të mbetjeve të rrezikshme përmes falsifikimit të klasifikimit të tyre; ato u përshkruan në dokumente herë si oksid hekuri dhe herë si oksid zinku, të pashoqëruara me kodin e tyre.
“Rezulton se shtetasja Gjovana Sokolaj në agjencinë doganore ka deklaruar produktin si “oksid hekuri” ashtu si edhe është përcaktuar në kontratën me shoqërinë Kurum, ndërkohë që fatura e deklaruar në tatime është oksid zinku dhe në faturën e shitjes bërë shoqërisë GS Minerals d.o.0 me seli në Kroaci, i ka shtuar si element në kllapa kodin ZN pra “Okside hekuri (ZN).
Në vitin 2023 Sokolaj i drejton Ministrisë së Mjedisit një kërkesë tjetër për tu pajisur me autorizim për eksport mbetjesh të rrezikshme e konkretisht:
Me shkresën e datës 07.03.2023 subjekti Sokolaj i ka drejtuar kërkesë për autorizimin e eksportit të mbetjeve Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, protokolluar te kjo Ministri me nr.283/1prot., date 30.03.2023.
Nga kjo shkresë rezulton se, subjekti Sokolaj bazuar në kontratën me gjeneruesin e mbetjeve Kurum International sh.a, ndër të tjera angazhohet t’i blejë dhe mbetjet me kod 100207* (mbetje të ngurta nga trajtimet e gazeve, që përmbajnë substanca të rrezikshme). Sasia vjetore e këtyre mbetjeve është 25000 ton/vit për vitin e parë pasi ka stok sasie. Kjo sasi do të dërgohet deri në përfundimin e kontratës me blerësin 31.12.2029. Sasia totale parashikohet 50.000 ton deri në 21.12.2029”, thuhet në dosjen hetimore.
Mosdhënia e autorizimit nga Ministria e Mjedisit për të eksportuar këtë lloj mbetje, ka bërë që shoqëria ‘Sokolaj’ dhe ‘Kurum’ ta eksportojnë këtë mbetje në kundërshtim me ligjin, pa autorizimin përkatës duke fshehur natyrën e vërtetë të mbetjes në aktet shkresore.
