Të gjithë subjektet që janë përjashtuar verën e shkuar nga TVSH, duhet të dorëzojnë pranë administratës tatimore faturat e papërdorura. Përmes një njoftimi zyrtar, Administrata Tatimore njofton se afati Afati për dorëzimin e fletëve ose blloqeve të papërdorura nga tatimpaguesit do të jetë periudha 01 Mars – 31 Gusht 2021.
“Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ju njofton se në bazë të VKM Nr. 576, datë 22.07.2020 “Për disa ndryshime në Vendimin Nr. 953, datë 29.12.2014, “Për dispozitat zbatuese të ligjit Nr. 92/2014 ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të gjithë ju si tatimpagues që nuk do të jeni më subjekt i TVSH-së, keni detyrimin për të depozituar dokumentacionin tatimor të shpërndarë (faturat e TVSh-së) pranë strukturave në Drejtoritë Rajonale Tatimore që kanë qenë të angazhuara për shpërndarjen e tyre”, shkruan në njoftim Drejtoria e Përgjithëshme e Tatimeve.
Dokumentacioni tatimor mund të dorëzohet dorazi ose me postë rekomande sipas formateve, të cilat i gjeni si dokumenta ndihmëse poshtë këtij njoftimi. Një kopje e procesverbalit të konfirmimit do ju vijë në mënyrë elektronike nëpërmjet çështjeve të krijuara në C@ts, nga inspektorët e kontrollit nga zyra, të cilët administrojnë dosjen tuaj. Në korrikun e vitit 2020, Qeveria përjashtoi nga skema e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar bizneset me xhiro vjetore deri në 10 milionë lekë në vit.