Pasi në “e-Albania” u publikua lista e bizneseve që do të rifillojnë aktivitetin e tyre, një pjesë e tregtarëve shprehen se paqartësitë vijojnë të jenë të dukshme.
Një vëzhgim i kryer nga Euronews Albania në disa qytete të Shqipërisë, tregon se sipërmarrësit ende nuk janë në dijeni nëse biznesi qe ata drejtojnë përfshihet në këtë listë e nga ana tjetër ndihen të rrezikuar si nga falimentimi i mundshëm ashtu edhe nga frika se mund të ekzpozohen ndaj coronavirusit.
Pronarja e një dyqani lulesh në Shkodër shprehet se lajmin e ka marrë nga mediat, por ende nuk ka aplikuar për lejen që duhet, ndërsa një tjetër pronar i një subjekti tregtar në Tiranë është i paqartë mbi mënyrën e funksionimit, pasi policia nuk e lejon të rifillojë aktivitetin, ndërkohë që nga vendimet e qeverisë tregtari nuk përfiton as nga paketa financiare.
Të shumtë kanë qenë tregtarët që nuk kanë pranuar të flasin përpara kamerës, por janë shprehur se kanë shumë paqartësi mbi përfshirjen ne listën e bizneseve që duhet të rifillojnë aktivitetin.
