U nënshkrua sot anëtarësimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) në Rrjetin Operacional @ON, financuar nga Komisioni Evropian – nën kujdesin e Drejtorisë së Hetimit Antimafia, Itali. Deklarata e Partneritit u nënshkrua nga Drejtori i BKH-së Aida Veizaj (Hajnaj) dhe Drejtori i Antimafias (DIA) Maurizio Vallone.
Projekti, me mbështetjen e rëndësishme të Europolit, përbën një mjet të bashkëpunimit ndërkombëtar policor, që ndihmon në shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimin operacional, për hetimin e grupeve kriminale ndërkombetare, që përbëjnë një kërcënim për Bashkimin Evropian dhe për vendet e tjera anëtare.
Aktualisht, në këtë rrjet të rëndësishëm marrin pjesë 37 shtete dhe 44 agjenci/polici evropiane dhe më gjerë. Gjithashtu, në këtë rrjet marrin pjesë edhe forca policore nga vende të ndryshme jo-evropiane si FBI e SHBA-së, Policia Mbretërore Kanadeze, Policia Australiane si edhe polici të Amerikës së Jugut.
