Deputetja e PD-së zyrtare, Flutura Açka ka reaguar në lidhje me emërimin e Blendi Gonxhes në krye të Ministrisë së Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit. Açka shkruan se vetëm po ta kuptosh kulturën si biznes, mund ta bësh këtë kombinim. Ajo ka shtuar se ky është hapi i parë për privatizimin e plotë të kulturës shqiptare, ndërsa tha se shpreson që ky të mos jetë një vendim anti-shqiptar.
Postimi i plotë
Hiq bimsë e mbill “pemën e dyzet frutave“. Për kulturën, këtë bankë të heshtur të rilindasve
“Pema e dyzet frutave” është shpikje e njëfarë Sam Van Aken, i cili pasi krasiti e krasiti e krasiti e krasiti një pemë, ia doli më në fund të kishte një trung frutor që prodhonte plot dyzet fruta të ndryshme.
M’u kujtua kjo pemë e kjo zeje krasitjesh me qëllim për të prodhuar më shumë e me larmi, kur dëgjova për emërimin e Blendi Gonxhes si ministër Edhe i Kulturës, duke e hequr ministren Margariti, e cila, ç’është e vërteta, e bëri me shumë devotshmëri rolin e bimsës në kulturën shqiptare. Mjafton t’ju kujtoj:
Grabitjen e Butrintit
Shembjen e Tetrit Kombëtar
Procedurën antiligjore të kinse Teatrit të Ri Kombëtar
Cilësinë e rikonstruksionit të Teatrit Kombëtar të Baletit
Operetën e rikonstruksionit të Muzeut Historik Kombëtar
Kishat shqiptare të rikonstruktuara në dy mandatet të cilat i kanë humbur nishanet shqiptare dhe kanë marrë pamje greke
Nuk ka përzierje vajuthull më të rrezikshme se sa të vësh në krye të Ministrisë së Kulturës ideatorin e pyllit orbital të Tiranës. Projektet dhe postet nëpër të cilat ka kërcyer i zgjedhuri për ministrër i kulturës, janë banka të fshehura, të cilave zor iu bie radha për t’u kontrolluar, ngaqë kanë filluar të fosilizohen dhe zullumi është më i dukshëm tjetërkund. Vetëm po ta kuptosh kulturën si biznes, mund ta bësh këtë kombinim, ose nga nevoja e ngutshme për ta shuar tërësisht edhe atë fije kulturë që merr frymë. Ky është hapi i parë për privatizimin e plotë të kulturës shqiptare.
U hoq apo e hoqën Margaritin?
Gaboi apo fitoi Margariti?
U ndëshkua apo u shpërblye Margariti?
Do ta tregojë shpejt me detaje visoren dhe prapaskenat vendimi i pritshëm i Gjykatës Kushtetuese mbi Butrintin. Luz Zotin të mos jetë një vendim antishqiptar.
