Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se i dënon fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës, të cilat, sipas tij, po e përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin”.
Reagimi i Blinken vjen pas aksioneve të Policisë së Kosovës në tri komunat në veri të Kosovës, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, për të siguruar qasjen në objektet komunale të kryetarëve të ri të këtyre tri komunave.
“I bëjmë thirrje kryeministrit [të Kosovës] Albin Kurti që t’i ndalojë menjëherë këto masa të dhunshme dhe të ripërqendrohet në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, shkroi Blinken në Twitter.
Policia e Kosovës, të premten më 26 maj, ka hyrë në objektet komunale, përkundër rezistencës së grupeve të qytetarëve në këto komuna të banuara me shumicë serbe.
Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe shok-bombat, për t’i shpërndarë qytetarët e tubuar rreth tyre.
Më herët, të premten, ka reaguar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili ka theksuar se Shtetet e Bashkuara i “dënojnë veprimet e vazhdueshme të autoriteteve kosovare për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës”, duke shtuar se “masat e dhunshme duhet të ndërpriten menjëherë”./ Rel