Bllokohet plani për përgjime në Shqipëri nga policia, duke nxjerrë jashtë loje prokurorinë.
Projektligji që i jep policisë kompetencat e prokurorisë, i mbrojtur nga ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, në Kuvend, është pezulluar pa afat. Reflektimi i mazhorancës qeverisëse ka ardhur pas reagimeve të forta nga Prokuroria e Përgjithshme, Prokuroria e Posaçme, juristë të ndryshëm, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, por edhe nga deputetët socialistë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, të cilët e konsideruan nismën ligjore të rrezikshme, antikushtetuese dhe që cenon liritë themelore të njeriut.
Po cilat janë lëvizjet që konfirmojnë bllokimin e ligjit? Së pari, edhe pse statusi i nismës ligjore rezulton në ‘procedurë’, Komisioni i Sigurisë Kombëtare prej 35 ditësh nuk shqyrton projektligjin nen për nen, për ta kaluar në seancë plenare. Komisioni i Sigurisë ka zhvilluar vetëm një seancë në datën 20 maj 2020, e cila u shoqërua me debate të forta. Së dyti, si rrjedhojë e mos shqyrtimit nen për nen, Komisioni i Sigurisë nuk ka përgatitur një raport për këtë ligj, nëse duhet të miratohet ose jo. Së treti, as Komisioni i Ligjeve nuk e ka marrë në shqyrtim projektligjin. Komisioni i Ligjeve ishte caktuar si organi parlamentar që duhet ta shqyrtonte nismën për të dhënë një mendim.
Së katërti, nisma figuron në kalendarin e punimeve të Kuvendit, por nuk është caktuar asnjë datë për votim në seancë plenare, siç ndodh me ligjet e tjera, si një procedurë e zakonshme parlamentare.
Gjatë mbrojtjes së projektligjit për ndryshimin e ligjit për Policinë e Shtetit, ministri tha se nisma ishte konsultuar me grupet e interesit dhe se ishte mbështetur. Por, gjatë diskutimeve, zbulua se nisma ishte kundërshtuar nga SPAK, Prokuroria e Përgjithshme dhe juristët. Gjithashtu, nuk ishte marrë mendimi i misioneve të SHBA-BE, OPDAT dhe EURALIUS për projektligjin.
