Si pasojë e motit të keq që po kalon vendi dhe rrëshqitjes së dherave, qarkullimi në Rrugën e Arbrit është bllokuar. Një eskavator i firmës së ndërtimit të rrugës po punon prej më shumë se një ore për pastrimin e saj në mënyrë që të bëjë të mundur rifillimin e qarkullimit të automjeteve.
Lidhur me këtë situatë, policia ka dhënë një njoftim për mediat ku bën me dije se shembja ka ndodhur në aksin rrugor Xibër-Qafë Murrizë, aty ku është shembur një masiv dheu dhe gurësh duke e bërë këtë aks të pakalueshëm.
Për të mos krijuar trafik dhe probleme, policia është vendosur në të dy anët e rrugës dhe po orienton drejtuesit e mjeteve që në raste emergjente të ndjekin aksin e vjetër.
Njoftimi i policisë:
‘Si pasojë e motit me reshje shiu e dëbore në aksin rrugor Xibër-Qafë Murrizë, është shembur një masiv dheu dhe gurësh duke e bërë këtë aks të pakalueshëm.
Shërbimet e mirëmbajtjes së rrugës me mjetet eskavator po punojnë për hapjen dhe pastrimin e saj.
Shërbimet e Policisë ndodhen në të dy kahet e rrugës për të orientuar drejtuesit e mjeteve që në raste emergjente të ndjekin aksin e vjetër.”
