Këtë të premte, rruga në afërsi të pikëkalimit kufitar mes Serbisë dhe Kosovës, Merdar është bllokuar në pjesën serbe. Dy automjete, një me një flamur serb në dritaren e pasagjerit, dhe disa persona pranë tyre shihen të vendosur në mes të rrugës që çon në pikën kufitare drejt Kosovës.
Policia e Kosovës është duke kryer në vazhdimësi detyrat e saj në pikën kufitare në Jarinje, ndërkohë që serbët kanë paralajmëruar bllokimin e kësaj pike kufitare, sipas asaj që raportojnë mediat në Kosovë.
Një numër i vogël serbësh janë mbledhur 500 metra në largësi nga pika kufitare në pjesën e territorit të Serbisë, të cilët po qëndrojnë në një kafene aty pranë. Policia e Kosovës ka udhëzuar qytetarët e saj që të mos e kalojnë kufirin drejt Serbisë.