Paratë, gjithmonë ato. Miro Rizvanovic Niemeier, 36-vjeçari narkotrafikant ndërkombëtar i arrestuar të enjten nga Guardia di Finanza ishte në Itali me destinacion Milanon.
Sot, sipas hetuesve, bosi me shtetësi të dyfishtë boshnjake dhe gjermane, duhet të takohej me aleatët shqiptarë për të vendosur çmimin e 100 kg kokainë për t’u shitur në qytet, shkruan sot Corriere della Sera. Hetimet vazhdojnë në kërkim të rrjetit të bashkëpunëtorëve, por arrestimi i këtij njeriu, hallkë e rëndësishme e “Klanit të Gjirit” dhe një nga referimet e shefit të tij, “Otoniel”, trashëgimtar i mbretit të drogës Pablo Escobar, për të cilin është vendosur një shpërblim prej 5 milionë dollarëve, mbetet një goditje e rrallë.
I shumëkërkuari “El Ruso”, pseudonimi i Rizvanovic Niemeier, i lindur në Graçanicë, një vend me 50 000 banorë në veriperëndim të Bosnjës, ishte kapur vitin e kaluar nga policia kolumbiane, por ai u arratis dhe u largua nga Amerika e Jugut në Spanjë. Lundrimi i fundit për të ka qenë fatal.
KUSH E KA MBROJTUR
Nga Madridi, ku ishte sistemuar pas arratisjes nga Kolumbia, “El Ruso” kishte hipur për të zbritur në Civitavecchia. Financierët e qytetit lazial bashkë me kolegët e Brescias e kanë pritur dhe ndaluar. Ndaj 36-vjeçarit kishte një urdhër-arresti ndërkombëtar por mbetet mister se si ka qëndruar aq gjatë në Europë. Burime investigative hedhin dyshimin se Rizvanovic Niemeier paguante njerëz të Interpolit kolumbian ose ndoshta edhe të atij francez. Dikush në kontinent, me siguri e ka mbrojtur, përveç bashkëpunëtorëve të organizatës. Kolumbia tani e kërkon dhe do procedojë me kërkesën e ekstradimit. Por është ai që nuk e do gjykimin në Kolumbi: ka deklaruar se në një burg amerikano-jugor do të rezistonte vetëm disa orë; ka lënë llogari të hapura me kartelet rivale dhe vrasësit do të përpiqen ta vrasin sapo të hyjë në burg.
SHFRYTËZIMI I EMIGRANTËVE
Biografia e “El Ruso”-s flet vetë. Për llogari të “Klanit të gjirit”, një nga organizatat më të forta botërore të trafikut të drogës (ku bëjnë pjesë shumë ish-paraushtarakë), Rizvanovic Niemeier merrej me blerjen e sasive të mëdha të kokainës në laboratorët klandestine në Kolumbinë perëndimore dhe organizonte transportin drejt bregdetit (në kufi me Panamanë) nga ku ngarkesat niseshin për në Meksikë, SHBA dhe Evropë.
Në fillim, korrierët ishin kryesisht njerëz të dëshpëruar, emigrantë në udhëtim për t’u larguar nga varfëria dhe në kërkim të fatit.
Atyre iu besoheshin valixhe me fund të dyfishtë. Kjo ishte një nga dy frontet e veprimit të “El Ruso”, i ngarkuar edhe në krye të marrëveshjeve në nivele më të larta të tilla si shqiptarët në Itali.
Pothuajse i panjohur në Itali, po të mos ishte për njerëz të caktuar të Guardia di Finanza të mësuar me një jetë në gjueti, në të kundër Rizvanovic Niemeier është i njohur në Gjermani. Ose të paktën, është i pranishëm në arkivat gjermane që mes viteve 1996 dhe 2011 ku kishte kryer krime si vjedhje, plagosje dhe grabitje, dhe ishte arrestuar në vitin 2013.
FUNDI I DËNIMIT NË 2047
“El Ruso” rrezikon deri në 30 vjet burg. Nëse pranohet ekstradimi, gjykatësit kolumbianë do të arrijnë të japin dënimin maksimal dhe 36-vjeçari do të fitojë lirinë vetëm në vitin 2047, gjithmonë nëse arrin të mbijetojë në burg. Pavarësisht progresit të madh, korrupsioni është një e keqe endemike në vendin jugamerikan. Shumë nga ky proces do të varet nga lëvizjet e “Otoniel”, i njohur si Dario Antonio Úsuga, i fshehur në pyje dhe i mbrojtur nga qindra besnikë: a do të shfaqet për të mbrojtur njeriun e tij apo do ta braktisë në fatin e tij?
“El Ruso” tashmë duket i djegur. Por ai njeh sekrete, llogari, lëvizje dhe është krijuesi i një harte shumëdimensionale të ‘grepave’, agjentëve dhe tregtarëve.
Pas kapjes në Kolumbi në vitin 2016, Rizvanovic Niemeier ishte ndihmuar nga doktorë dhe drejtorë të spitaleve të blerë: kishin krijuar për të, certifikata mjekësore false që e bënin praktikisht të vdekur (por në fakt ishte shumë mirë në 188 centimetrat e tij të forcës).
“El Ruso” kishte lënë qelinë për të dalë në arrest shtëpie, ku askush nuk e ruante më dhe rrjedhimisht ia kishte mbathur.
Burime të inteligjencës hedhin dyshimin e arsyeshëm se në Itali Rizvanovic Niemeier do të takonte elementë të mafies romake dhe të “Ndragetës” në veri.
Të mendosh se “El Ruso” mbështetej vetëm tek klanet shqiptare, është fyese për prejardhjen e tij kriminale.
Dhe përveç kësaj, edhe në qoftë se fenomeni është konsideruar si “jashtë mode”, në Milano janë familjet kalabreze që dominojnë tregtinë e kokainës. Ndrangheta është bërë e pasur dhe e fuqishme me drogë. Perandoria ka lindur atje.
NGA Andrea GALLI