Marc Andre Ter Stegen, aktualisht është duke u rikuperuar nga dëmtimi që pësoi në ndeshjen e dytë të tij me fanelën e Gironës ku është dhënë me huazim nga Barcelona në muajt e dimrit. Portieri gjerman me këtë lëvizje kërkonte që të fitonte minutazh për të qenë titullar në Botërorin e kësaj vete. Por problemet fizike e bëjnë praktikisht të pamundur këtë.
Kështu që në këtë moment në Gjermani ka filluar të spekulohet shumë për portierin që do të mbrojë portën e 4 herë kampionëve të botës në kompeticionin madhor futbollistik që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë në më pak se 1 muaj. Baumann është portieri të cilit Nagelsmann po e aktivizon vazhdimisht, por situata mund të ndryshojë në mënyrë të papritur.
Manuel Neuer, tashmë 40 vjeçare i cili u tërhoq nga kombëtarja gjermane përpara dy vitesh, e ka përsëritur në disa raste se nuk kishte opsione për të për t’u grumbulluar te ‘Die Mannschaft’.
Por në Gjermani po shtohen gjithnjë e më shumë zërat se ai do të shkojë në Botërorin e këtij viti. Madje sipas Sky Sports Deutschland, Neuer është përfshirë në listën paraprake me 55 futbollistë që Julian Nagelsmann i dorëzoi FIFA. Ende nuk ka një vendim përfundimtar të trajnerit për lojtarët që do të marrë me vete në këtë kompeticion, por pritet që të mësohet shumë shpejt.
