Spartak Braho është aktualisht deputet i Kuvendit nën siglën e Partisë Socialiste, pas shumë vitesh me LSI-në. Ai është i vetmi që abstenoi gjatë votimit të dekretit për shkarkimin e Ditmir Bushatit nga posti i ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme.
Pasi dhe ky ngërç mori fund, dhe Rama mori dekretin si zëvendësues i Bushatit, Braho ka sqaruar dhe votën e tij të vetme abstenuese, duke e shpjeguar në syrin e juristit dhe jo politikanit.
““Ai dekret ishte antikushtetues, edhe për faktin që erdhi 3-4 ditë me vonesë. Ai dekret kishte rënë, për çfarë do të votoja? Juristi ndjek logjikën dhe unë abstenova. Me logjikën time, deputetët e tjerë kanë shkelur ligjin”, tha Braho në një prononcim për mediat.
Si jurist i është përgjigjur edhe pyetjes për padinë që Kryeministri Rama ka njoftuar se ka bërë ndaj presidentit Meta, për shkelje të Kushtetutës në rastin e mosdekretimit të Gent Cakajt si ministër i Jashtëm. “Duhet lexuar më parë padia, nuk mund të shprehem pa e lexuar atë padi”, ka thënë Braho.