Kreu i SPAK, Klodian Braho, deklaroi se krimi zgjedhor mbetet një nga shqetësimet kryesore të Prokurorisë së Posaçme, duke theksuar se çdo akuzë duhet të mbështetet në prova konkrete dhe jo në perceptime.
Gjatë raportimit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Braho bëri të ditur se SPAK ka regjistruar 46 procedime penale për parregullsi të dyshuara gjatë zgjedhjeve të fundit.
“Për krimin zgjedhor kemi folur edhe më parë, është një fenomen që neve na shqetëson si prokurori dhe nuk pajtohemi me të. Ka nisur para shumë kohësh. Ajo që duhet të kuptoni është se duhen prova, ndryshe nuk ngremë dot akuza. Ne nuk nisemi me perceptime, por me ato që ka dosja. Në secilën anë të jenë të akuzuarit, do të mbajë përgjegjësi”, deklaroi Braho.
Ai nënvizoi se SPAK do të vijojë hetimet për çdo rast të dyshuar të krimit zgjedhor dhe se përgjegjësia penale do të kërkohet për këdo që provohet se ka shkelur ligjin, pavarësisht përkatësisë politike apo pozicionit të tij.
