Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari, i ftuar në “Ora e Betit” shpjegoi sesi do të proçedojë koalicioni opozitar me caktimin e emrave për këshilltarë bashkiakë.
Braimllari: Fokusi kryesor i Partisë së Lirisë janë këshillat bashkiakë dhe patjetër mbështetja e drejtëpërdrejtë e kandidatëve të primareve. 61 kandidaturat kanë dalë nga primaret, kanë mbështetjen tonë maksimale. Jemi një ekip i vetëm. Fitorja e një kandidati është pjesë e suksesit të këtij blloku opozitar ashtu sikundër humbja e një kandidati ka të bëjë me këtë bllok.
Marrëveshja është shumë e qartë. Do të merret për bazë rezultati që kanë pasur partitë në bashki të caktuara. Nuk është qëllimi të kushtëzojmë. Ne kemi vetëm një kusht, betejë të drejtëpëdrejtë kundër Edi Ramës dhe Erion Veliaj për të çmontuar këtë sistem monist dhe klientelist që Rama ka vendosur në pushtet qëndror dhe Veliaj në bashkinë e Tiranës. Gjithçka tjetër është e negociueshme.
Opozita dorëzoi mbrëmjen e kësaj të mërkure në KQZ kërkesën për koalicion në zgjedhjet e 14 Majit. Koalicioni do të mbajë emrin “Bashkë Fitojmë” dhe pjesë e saj janë Partia Demokratike, Partia e Lirisë, Partia Demokristiane dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut.
Drejtuese politike e koalicionit është Partia Demokratike, ndërsa partia udhëheqëse e koalicionit është Partia e Lirisë.
Në marrëveshjen për koalicion mes partive është autorizuar kreu i PL-së, Ilir Meta, ose i autorizuari prej tij, që të paraqesë në KQZ kandidatët për kryetarë bashkie, listat e kandidatëve për këshillat bashkiakë si dhe çdo dokumentacion tjetër të nevojshëm për regjistrimin e koalicionit.