Në raundin e parë të regjistrimeve, Fizika numëroi vetëm dy maturantë të interesuar. Një shifër alarmante për këtë degë dhe për programe të tjera studimi që prej vitesh përballen me numër të ulët studentësh. Rektorja e Fakultetit të Shkencave të Natyrës nuk mohon interesin e kufizuar për degë ekzakte si kimi, fizikë apo matematikë, megjithatë shpjegon se kjo shifër ka ardhur edhe nga hapja e programeve ndërdisiplinare, një vit më parë.
“Në fakt nuk janë gjë tjetër veçse disiplinat standarde të pasuruara me njohuri të teknologjisë së informacionit. Pikërisht këto programe të riorganizuara mbushin këtë vakancë që ishte krijuar nga programet ekzistuese apo tradicionale që tregu apo arsimi universitar ofronte”, thot rektorja e Fakultetit të Shkencave të Natyrës , Eglantina Kalluci.
Rektorja sqaron se këto programe studimi nuk janë domosdoshmërisht të lidhura me mësuesinë.
“Programet bachelor nuk janë programe të definuara për mësuesi, zgjedhjet në ciklin e dytë i ndajnë nëse do të jenë mësues për arsimin e lartë në disa profile apo do të vijojnë të profilizohen në drejtime më shkencore. Ajo që mund të them dhe që lakohet, është se ka ndryshuar trendi në programet fizike dhe shkenca kompjuterike. Ka ndryshuar qasja ndaj perceptimit të fizikës, por kjo nuk është pengesë që studentët që diplomohen nga ky program, nesër të mos jenë mësues të ardhshëm të fizikës.”
