Vetëm pak minuta stuhi me breshër kanë shkaktuar dëme të mëdha në fushën e Maliqit, duke shkatërruar sipërfaqe të konsiderueshme me grurë dhe kultura të tjera bujqësore.
Pak ditë para nisjes së korrjes, moti i keq goditi parcelat me grurë, duke bërë që fermerët të humbin më shumë se gjysmën e prodhimit. Në shumë raste, kallinjtë janë rrëzuar plotësisht në tokë, çka e bën korrjen tepër të vështirë dhe rrit rrezikun e humbjes së plotë të të mbjellave.
Dëmet nuk janë kufizuar vetëm te gruri. Edhe sipërfaqe të mbjella me qepë dhe kultura të tjera sezonale janë prekur nga breshëri, duke shkaktuar humbje të konsiderueshme ekonomike për dhjetëra familje fermere.
Banorët e zonës shprehen se nuk është hera e parë që përballen me një situatë të tillë, duke kujtuar se dëme të ngjashme nga moti i keq kanë pësuar edhe katër vite më parë.
