Qeveria e re britanike, e drejtuar nga kryeministri Andy Burnham, ka prezantuar një paketë të re masash për të lehtësuar barrën e kostos së jetesës për qytetarët. Ndër vendimet kryesore është vendosja e një tavani maksimal prej 2 paundësh për biletat e autobusëve, masë që do të hyjë në fuqi në muajin janar.
Sipas qeverisë britanike, iniciativa do të financohet nga një fond shtesë prej 454 milionë funtesh, i siguruar përmes riorganizimit të shpenzimeve të Departamentit për Sigurinë e Energjisë dhe Emetimet Zero.
“Që nga dita e parë kam thënë se do të ndërtoj një vend për të gjithë, kudo. Kjo do të thotë komunitete më të lidhura, më shumë mundësi dhe më pak barrë financiare për qytetarët”, deklaroi Burnham.
Ky vendim vjen vetëm një ditë pasi qeveria njoftoi heqjen e TVSH-së nga faturat e energjisë elektrike për familjet, masë që do të zbatohet duke nisur nga 1 tetori.
Kostoja e kësaj lehtësie do të mbulohet përmes anulimit të projektit të identitetit dixhital të qeverisë, me një vlerë prej 1.8 miliardë funtesh.
Kryeministri Burnham theksoi se paketa nuk përfundon me këto masa, duke paralajmëruar iniciativa të tjera me efekt të menjëhershëm, të fokusuara veçanërisht te familjet me të ardhura më të ulëta, për t’i ndihmuar të përballojnë rritjen e kostos së jetesës.
