Britania do të rrisë vigjilencën për sigurinë e hapësirës ajrore të saj, pas objekteve fluturuese, balonave spiune kineze dhe të tjera në hapësirën ajrore perëndimore.
Sipas “Sky News”, kryeministri britanik, Rishi Sunak, ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar është “në kontakt me aleatët e saj”, pasi ministri i Transportit të vendit të tij, Richard Holden, pretendon se Kina mund të ketë dërguar tashmë balona spiune në hapësirën ajrore të Britanisë.
Deklaratat nga pala londineze vijnë 24 orë pasi amerikanët rrëzuan një objekt të katërt fluturues në tetë ditë. I pari që u rrëzua më 4 shkurt ishte një balonë spiune kineze.
Vlen të përmendet se regjimi i Pekinit ka pranuar tashmë se objekti fluturues ishte i vendit të tij por këmbënguli se ishte një dron. Përveç Uashingtonit, lëvizjet e dyshimta të qeverisë kineze po mobilizojnë edhe Londrën.
Në intervistën e sotme për rrjetin britanik “Sky News”, ministri britanik i Transportit Richard Holden e cilësoi Kinën si një “shtet armiqësor” duke theksuar se qeveria duhet të bëjë “negociata të ashpra” me regjimin e Pekinit.
