Bashkimi Evropian po shqyrton mundësitë për ngritjen e një agjencie që do të luftojë pastrimin e parave.
Komisioni Evropian ka nisur shqyrtimin e propozimeve të para pas një serie skandalesh, përfshirë këtu atë të bankës daneze “Danske Bank” me mbi 200 miliardë euro transaksione të dyshimta të zbuluara në vitin 2017.
Krijimi i një agjencie kundër pastrimit të parave synohet për të forcuar sundimin e ligjit dhe sidomos për të parandaluar financimin e terrorizmit.
BE synon që përmes kësaj agjencie të mbikëqyrë më mirë aktivitetet financiare ndërkufitare, fluksin e parave prej këtyre aktivitetesh dhe të ketë mundësi për të vepruar në kohë me gjoba apo konfiskime.
Po kështu parashikohet që agjencia të mbikëqyrë edhe aktivitetin e kriptovalutave me një propozim që të vendoset një kufi pagesash deri në vlerën e 10 mijë eurove, kufizim që mendohet se mund të ndalë grupet kriminale për të pastruar para përmes kësaj mënyre.
Grupi i Bankave Evropiane të Kursimeve (ESBG) e ka mirëpritur këtë nismë duke theksuar se kjo agjenci do ta thellonte luftën kundër pastrimit të parave dhe grupeve kriminale.
Sipas Europol, transaksionet e dyshimta përbëjnë rreth 1 për qind të aktivitetit ekonomik të BE-së.
BE synon që ta vërë në punë agjencinë duke nisur nga viti 2024, por si fillim, do të duhet miratimi nga Parlamenti Evropian dhe dakordësia e qeverive të vendeve anëtare të BE-së.