Rritja e përdorimit të instrumenteve të pagesave elektronike duke reduktuar paranë cash në ekonominë shqiptare, ka vijuar edhe përgjatë vitit 2019.
Banka e Shqipërisë bën të ditur, diversifikimi i instrumentave është reflektuar në një rritje vjetore të numrit të pagesave me 23.8%, duke arritur nivelin e rreth 18.6 milionë pagesave në total, si edhe në një rritje të lehtë të vlerës së tyre prej 3.15%.
Analizimi i pagesave sipas instrumenteve të përdorura tregon një zgjerim të vazhdueshëm të pagesave elektronike të tilla si kartat bankare, transfertat e kreditit në formë elektronike (home banking) si dhe paraja elektronike (kartat e parapaguara).Sipas BSH-së, rritja e peshës së pagesave elektronike është reflektuar në një tkurrje të vazhdueshme të transfertave të kreditit në formë letër, të cilat në vitin 2019 zunë një peshë rreth 30% ndaj totalit të vëllimit të pagesave.
