Burgu i Burrelit nisi të ndërtohej gjatë regjimit Mbretëror të Ahmet Zogut. Thuhet se mbreti kishte për qëllim të punësonte këtu partiotët e tij matjanë, kishte besim se ato do ta mbronin atë me fanatizëm dhe të afërmit e të dënuarve do ta kishin më afër burgun për të vizituar njërëzit e tyre. Është përdorur për pak kohë si burg dhe në vitin 1940 kur italianët e kthyen në kazermë për nevojat e tyre. Pas clirimit të vendit në këtë burg vuajtën dënimin njerëz të shquar të politikës dhe fesë. Askohe ky burg ishte etiketuar si burgu i ferrit. Duke shfletuar historikun e këtij burgu mëson se nga viti 1946 deri më 1948 kanë vdekur mbi 200 intelektualë, mes tyre ish-kryeministri Koço Kote, ish ministri i Arsimit, Xhevat Korça, ish-shefi i Shtabit të Ushtrisë, Gjergj Kokoshi, Xhavit Leskoviku, drejtor i Bibliotekës Kombëtare, Arqile Tase, që kishte kryer studimet në Harvard, e shumë figura të njohura të Shqipërisë. Dy dhoma të burgut të Burrelit janë kthyer në muze. Aty janë pasqyruar mjaft qartë dhuna e paparë dhe e padëgjuar ndaj të dënuarve si dhe mjaft prova e fakte që provojnë cili ishte burgu që ishte pagëzuar me shprehjen: “Këtu i thonë Burrel, ky hyn e nuk del ”. Qelitë e vogla kishin vetëm një dritare të vogël nga ku dielli e kishte të vështirë të hynte. Ish të dënuarit kanë deklaruar se në një gropë gjigante pas burgut varroseshin të dënuarit, duke e kthyer në një varr masiv. Në anë të gropës nuk kishte asnjë lloj bimësie, përveç një qershie që u bë simboli i vdekjes.
Nga viti 1946 deri në vitin 1990 në këtë burg kanë vdekur të paktën 400 ish të dënuar. Edhe kohët e fundit të dënuarit ankohen se kushtet në qeli dhe mjediset e tjera janë mjaft të vështira. Të dënuarit organizuan një protestë ndërsa Avokati i Popullit kërkoi mbylljen e këtij institucioni të vuajtjes së dënimit.
Torturat e pabesueshme
Pas viteve 1997 në ambjentet e brendëshme të Burgut të Burrelit, me iniciativë të ish kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Pjetër Arbnori, ish i dënuar në këtë burg, u përgatitën dy dhoma muze, për t’u treguar vizitorëve kushtet në këtë burg gjatë sistemit monist. Fotot e afishuara dhe tregimet e ish të dënuarve të lënë me gojë hapur. Askush nuk mund t’i besojë këto tortura si: rrahje me dru, çpuarje e mishit me tel, kruajtje e plagës së qelbur me dru, elektrik në veshë, futja e kripës në mish të djegur, larje me ujë të ftohtë në dimër, lënie pa bukë deri në vdekje, lënie zhveshur në të ftohtë, shtrëngim të gishtërinjëve me pinca, fekale në gojë, varje me kokë poshtë, jeleku, lënie me sy për dielli, maçoku në tumare, tentativë për çnderim të vajzës.
Këto e të tjera metoda të përdorura gjatë diktaturës për ish të dënuarit janë afishuar në stendat e dhomave muze. Në një listë të gjatë janë publikuar emrat e disa prej figurave më të njohura të kohës si: Sami Dangëllia, Osman Kazazi, Kosta Fili, Dhori Gërnjoti, Pjetër Arbnori, Dervish Sula, Adem Allçi, Bedri Spahiu, Mersim Vlashi, Bedri Çoku, Çaush Çoku, Luan Koka, Dom Simon Jubani, Gjin Marku, Bardhok Zeneli, etj, etj. Dënimet ishin maksimale. Në dhomat muze dalloheshin rroba të reckosura, opinga prej llastiku, batanije të shqyera. Veç shqiptarëve janë pushkatuar, sipas ish të burgosurëve politikë dhe dhjetra grekë, maqedonas, boshnjakë, kroatë, malazes, serbë, rumunë, oficerë italianë e gjermanë të mbetur nga lufta.
Tre arratisjet nga burgu
2 gushti i vitit 1967 shënoi thyerjen e parë të burgut të Burrelit, por pjesmarrës në këtë ngjarje ishin vetëm tre persona. Me 13 mars të vitit 1997, pas një revolte të gjatë në ambjentet e brendëshme të burgut, ai u shpërthye. Punonjësit e sigurisë së lartë nuk mund të rezitonin më gjatë. Të gjithë burgjet e tjera në vend ishin hapur. Ai i Burrelit mbeti i fundit. Pak orë pas mesditës nga dritaret e burgut dalloheshin rroba që hidheshin nga qelitë dhe nxirreshin në oborrin e burgut. Njerëz të shumtë e kishin rrethuar atë. Ishin të afërmit e ish të dënuarve që shqetësoheshin për fatin e të burgosurve, kishin frikë se mos atyre u ndodh ndonjë gjë e keqe. Prania e tyre kishte dhe një qëllim tjetër. Ushtrohej presion mbi gardianët që ato të mos rezistonin më gjatë. Aty pasmesdite dëgjohen krisma armësh në afërsi të burgut. Gardianët kishin mbetur midis dy zjarreve, nga njëra anë ishin qytetarët e shumtë që kishin rrethuar burgun dhe nga ana tjetër ishin të dënuarit që kishin marrë situatën nga brenda. Pa asnjë incident, pa asnjë të plagosur, pa asnjë viktimë, të gjithë ish të dënuarit e ndërgjegjes dolën nga ferri dhe me ndihmën e të afërmeve, por dhe banorëve të Matit, mbërritën në shtëpi atë natë, ose një ditë më vonë. Qytetarë të Burrelit u interesuan që askush të mos mbetej pa përkujdesje. Disa i morën në shtëpitë e tyre, të tjerë i transportuan me mjetet e tyre. Thyerja e tretë ka ndodhur në vitin 2005. Dy ish të dënuar me burgim të përjetshëm arritën të dalin nga qelitë por pas dy orësh u riarrestuan në afërsi të lumit të Matit. Ish drejtori dhe 11 zyrtarë u prangosën për shpërdorim detyre, por pas disa muajsh u lanë të lire.