Nga Kastriot Dervishi
Në relacionin e datës 28.9.1946 të Degës për Ekzekutimin e Dënimeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, thuhej se sipas variantit të vjetër, burgu kishte qenë me tjegulla, të cilat ishin marrë gjatë luftës nga popullata e atyshme. Për këtë arsye, u kalua në variantin me tarracë. Gjithsej meremetimi kishte bërë më pak se 70 mijë franga shqiptare.
Burgu u hap në vjeshtën e vitit 1946. Në fillim mbante numrin 3, e më pas mori emërtesën Reparti nr.321. Shifrat e saktë për të burgosurit në vitet e para pas lufte mungojnë. Edhe statistikat për vdekshmërinë janë vetëm paraprake ose mbi bazë sondazhi. Në vitin 1954 këtu vuanin dënimin 437 të dënuar. Ndërsa 3 vjet më pas ishin 240 të dënuar politikë. Në janar 1991 ndodheshin 186 të dënuar. Me urdhrin nr.566, datë 2.6.1992 të ministrit të Rendit Publik, burgu i Burrelit u mbyll. Të dënuarit u zhvendosën për në burgun e Bënçës. Burgu u rihap pas trazirave të vitit 1997.
Nuk ka informacione të sakta në lidhje me të burgosurit që janë varrosur në territorin e dikurshëm të këtij burgu, apo të atyre në varrezat e qytetit të Burrelit. Ajo që dua të theksoj është se asnjëherë nuk duhen bërë kërkime për një person, por vetëm për gjithë sipërfaqen e dyshuar. Kjo sepse territori i burgut ka ndryshuar nga pamja fillestare në atë të sotme. Harta bashkëlidhur është një ndërthurje e territorit në vitin 1950 me atë të kohës së sotme. Siç edhe shihet një pjesë jo e vogël dikur e burgut, sot është zënë me ndërtime, si shtëpi dhe rrugë. Pjesa me të zeza është territori i dikurshëm i burgut. Siç edhe shihet, hyrja ka qenë në një drejtim tjetër.