Nersada Mandija/ Ndërsa gratë po bëhen përherë dhe më përparimtare, jo pak meshkuj po zhvendosen drejt pikëpamjeve më konservatore ose reaksionare. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me modele të ndryshme përfaqësimi publik apo politik – ka të bëjë me mënyrën se si burrat dhe gratë përjetojnë dhe formësojnë botën përreth tyre. Hendeku publik dhe politik gjinor sot, qëndron në rritjen e dallimeve në mënyrën se si burrat dhe gratë qasen në shoqëri, angazhohen në politikë dhe i perceptojnë çështjet kryesore të shoqërisë.
Një manifestim ekstrem i kësaj ndarjeje është rritja e trendeve dhe komuniteve në internet (dhe jo vetëm) të burrave që fajësojnë feminizmin dhe ndryshimet shoqërore për mungesën e suksesit të tyre romantik ose seksual (frustracioni i të cilave dihet tashmë çfarë pasojash sjell). Disa nga këto grupe nxisin pakënaqësi ndaj grave, duke ushqyer ndjenja mizogjene dhe madje edhe radikalizimin social e politik.
Po si do ia bëjmë? -Burrat duhet të jenë aleat! Burrat duhet të jenë pjesë e procesit!
Dhe nuk po them që burrat duhet të “shpëtojnë” gratë. Ka të bëjë me pranimin e faktit se nga barazia gjinore përfitojnë të gjithë – familje dhe shoqëri më të shëndetshme, ekonomi më të forta dhe udhëheqje më të mira. Burrat duhen aleat! Duhen aleat kur flasim kundër seksizmit në vendet e punës dhe gjatë angazhimit në jetën publike dhe në politikë. Duhen aleat kur kërkojmë mbështetje për të hartuar e zbatuar politika gjithëpërfshirëse gjinore në strehim, arsimim, shëndetësi etj. Gjithashtu duhen aleat që të dëgjojnë dhe amplifikojnë zërat e grave në vend që t’i hedhin poshtë si “të zgjuara” ose “histerike”.
Po pse na duhen aleatët meshkuj tani më shumë se kurrë?- Sepse reaksioni këto kohë është gjithashtu shumë i fortë!
Çdo herë që nisin fushata ndërgjegjësimi për çështjet gjinore (në rang lokal apo global) ndërsa shumë burra e mbështesin në fillim, të tjerë ndjehen të besdisur, të sulmuar dhe tërhiqen nëpër hapsira mizogjene, ku pakënaqësia e tyre kthehet në ideologji.
Hapësirat pa fund online që nxisin ndarjen, shmangien, vetminë etj.Të tjera hapsira ku gëlon radikalizimi fetar që e portretizon gruan si në objekt dhe pronë – Algoritme të tëra që i shtyjnë të rinjtë drejt përmbajtjes që fajëson feminizmin për betejat e tyre, duke përforcuar një narrativë se barazia gjinore është një kërcënim dhe jo një mundësi.
Polarizim social e politik që rritet (jo vetëm në kohë fushatash).- Nëse burrat dhe gratë vazhdojnë të lëvizin në drejtime të kundërta politike, ne rrezikojmë një të ardhme ku politikëbërja bëhet një luftë gjinore dhe jo një përpjekje kolektive, që adreson sfidat kolektive.
Por si mund të ndihmojnë meshkujt aleat në barazinë gjinore?
Ata mund të ndihmojnë që të sfidojnë narrativat e dëmshme qofshin ato online apo në ambjentet përreth- siç janë për shembull kultura dhe trende (online) për mite rreth grave, pushtetin në çift, këshilla për takimet në çift etj.- Të folurit kundër këtyre ideve në hapësirat personale dhe profesionale bën patjetër një ndryshim.
Duke mbështetur gratë në udhëheqje: qoftë në biznes apo politikë, gratë përballen me barriera sistemike që burrat shpesh as që i vërejnë. – Meshkujt aleat advokojnë për mundësi të barabarta dhe politika të drejta.
Duke ripërkufizuar mashkulloritetin: Të jesh aleat në çështje gjinore, nuk ka të bëjë me humbjen e pushtetit – ka të bëjë me krijimin e një ekuilibri më të mirë ku të gjithë lulëzojnë.
Përfundimishit, barazia gjinore nuk është një çështje veç e grave.
Është një domosdoshmëri sociale, ekonomike dhe politike. Nëse duam të mbyllim hendekun politik gjinor, na duhen më shumë burra që e shohin barazinë gjinore jo si një kërcënim, por si një ekuilibër nga i cili përfitojnë të gjithë.
Po ti, a je një aleat?!