Bashkia Mat bëri me dije se tregu i fruta perimeve do të zhvendoset nga lagja “Pjetër Budi” në “Lagjen e Re”. Kjo zhvendosje vjen pasi kushtet në tregun e mëparshëm janë totalisht larg çdo standarti. Prodhimet bujqësore dhe blektorale shiteshin në pluhur e baltë. Po ashtu tregëtarët ishin të detyruar të qëndronin në kushte të vështira atmosferike gjatë shitjes së prodhimeve të tyre.
Bashkia Mat bëri me dije sot se: “Ndryshimi i tregut vjen për shkak të tregtimit të produkteve ushqimore jashtë çdo kushti higjeno-sanitar për konsumatorët matjanë. Bashkia Mat ka kryer një investim mjaft të mirë në tregun e fruta perimeve në “Lagjen e Re”, ku dhe plotëson kushtet higjeno-sanitare për sigurinë ushqimore. Bashkia Mat ju informon se nuk do të ketë më tregëtim në rrugë dhe në kushte të papërshtatshme.”
Edhe kryetari i bashkisë Mat, Agron Malaj theksoi se tregu aktual i fruta-perimeve është jashtë çdo kushti higjeno-sanitar për tregtimin e produkteve, por duke filluar nga nesër, do të zhvendoset tek ish-agjensia. “Tregu i ri do të ofrojë të gjithë kushtet e përshtatshme dhe sigurinë ushqimore për tregtarët dhe konsumatorët”, theksoi Malaj. /tirananews.al/




