Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati i ftuar në emisionin “Tempora” tha se fjala “korrigjim” i kufijve nuk ekziston në të drejtën ndërkombëtare. “Kjo është një çështje delikat, vendimtare dhe përcaktuese për fatin e Ballkanit Perëndimor. Është një çështje që po trajtohet me intensitet nga partnerët tanë, pasi ju dha një zgjidhje sherrnajës prej 3 dekadash mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Qëndrimet e mia kanë qenë publike. Mendoj që së pari është e rëndësishme që të kemi një inventar të arritjeve, të procesit të dialogut mes Serbisë dhe Kosovës. Duhet të kemi parasysh që procesi që do të çojë drejt një marrëveshje finale dhe ligjërisht të detyrueshme do të ketë jo vetëm njohjen e ndërsjellët mes Kosovës dhe Serbisë, por do të duhet të ketë në vëmendje edhe procesin e ripajtimit”, tha Bushati, teksa komentoi edhe qëndrimin që ka mbajtur Tirana zyrtare në lidhje me këtë çështje. “Tirana ka mbajtur një qëndrim sipas të cilit i takon autoriteteve në Kosovë të thonë fjalën e parë për këtë çështje. Nuk i takon Tiranës zyrtarë të thotë e para fjalën për këtë çështje, përsa kohë në Kosova nuk kishte një platformë të rakorduar nga faktori kryesor politik në Kosovë. Kosova ka një platformë të miratuar edhe në Kuvend. Unë do të doja që kjo platformë të ishte sa më konsensuale. Unë kam folur për disa procese që i çmoj si shumë të rëndësishëm. Na duhet një marrëveshje që të sigurojë njohjen e ndërsjelltë”, tha ai.
I pyetur nëse do të duhet që të diskutohet korrigjimi apo shkëmbimi i kufijve, Bushati tha: “Unë nuk e kuptoj çfarë do të thotë fjalën korrigjim i kufijve. Jam lodhur dhe nuk kam gjetur asnjë përkufizim në të drejtën ndërkombëtare sepse nuk ekziston. Pra në të drejtën ndërkombëtare flitet për procesin e delimitimit, që është procesi i përcaktimit të kufirit. Për ne është shumë e rëndësishme të përcaktojmë linjat strategjike, të mos hapet statusi i Kosovës, të mos vihet në pikëpyetje vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare dhe as parimet e grupit të kontaktit. Kjo është një cështje e interest kombëtar, në një parti politike nuk mund të fitohen vota apo të humben vota duke bërë retorike me këtë cështje, por është e një rëndësie kombëtare. Ky do të jetë një proces i vështirë, sfidues, dhe klasa politike duhet të marrë në dorë fatin e saj dhe ne si Tiranë zyrtare na takon që ta mbështesim këtë process. Ka shumë deklarata kontradiktore jo vetëm në Kosovë, por dhe në Serbi”.