Deputeti Ditmir Bushati, njëherësh drejtues politik i qarkut Shkodër për Partinë Socialiste, ka folur nga studio e ERTV mbi turin “Bashkia që duam” të ndërmarrë nga qeveria dhe Kryeministri Rama, që këtë herë ndaloi në Bashkitë Pukë, Fushë Arrëz, Vau i Dejës.
Për Ditmir Bushatin, ky tur është një mënyrë për të kuptuar se si partia socialiste mund të korrigjojë punët e saj dhe objektivat, ndërsa qeveria në asnjë moment nuk ka bërë asnjë dallim mes bashkive që administrohen nga njerëzit e PS dhe atyre që drejtohen nga kundërshtarët.
Por cilat kanë qënë prioritetet strategjike të qeverisë Rama për këto tre bashki të qarkut Shkodër? Ditmir Bushati e vë theksin te Rilindja Urbane, me efekt sipas tij, në zhvillimin shumë përmasor të zonave të veriut.
“Ka një diskutim në gjithë këto ditë në lidhje me bojën dhe ngjyrat, jo vetëm në kuptimin figurativ të fjalës dhe mund të them që veriu i Shqipërisë ka vuajtur përgjithësisht nga mungesa e ngjyrave, për zhvillimin urban, për mundësinë që ju jepet banorëve të zonave të largëta për të patur akses në edukim dhe shërbimin social dhe mendoj që brenda 6 viteve është bërë një punë e mirë sa i përket infrastrukturës. Në Pukë apo Fushë- Arëz përshembull nga pikëpamja e zhvillimit urban janë zona të tjera me ato që ishim mësuar para 6 vitesh. Para shumë vitesh banorët e këture zonave përballeshin me varfërinë, izolimin, mungesën e perspektivës”, tha Bushati.
Ndërsa u ndal në projektet e zhvillimit urban, Bushati theksoi rehabilitimin e qendrës së qytetit Pukë dhe qendrës së Fushë-Arrëzit.
“Kam parasysh gjithë qëndrën dhe godinat që kanë lidhjen me bashkinë Pukë, bulevardin kryesor. Para pak vitesh ishte e vështirë të dalloje liqenin në Pukë, por sot aty ka ambient rekreativ, kemi këndin sportv, palestrën kryesore të qytetit. E njëjta gjë vlen për Fushë-Arrëzin, bashkë me investimet në ujësjellës dhe investimet kolosoale në fushën e energjisë elektrike”, theksoi Bushati.
Më tej Bushati përmendi investimet masive në infrastrukturë, duke filluar me përmirësimin e ndjeshëm të rrugës që lidh Shkodrën me Velipojën, e cila sipas tij krijon akses më të mirë për gjithë shkodranët që i drejtohen plazhit por edhe për shqiptarët që vijnë nga Kosova.
Sipas tij, janë bërë gjithashtu disa ndërhyrje të rëndësishme infrastrukturore në pjesën që është në adminstrimin e bashkisë Malësia e Madhe.
Për drejtuesin politik të qarkut, të gjitha këto investime kanë mundësuar nxitjen e aktivitetit ekonomik të bazuar te shërbimet, turizmi familjar dhe ai natyror.
“Turizmi malor në këtë drejtim ka një zhvillim të ndjeshëm. Duke patur parasysh Vermoshin, Kelmendin dhe Tamarën dhe bukuritë e asaj zone, turizmi familjar ka njohur një zhvillim të paimagjinuar falë përmirësimit rrenjësor të infrastrukturës në ato zona”, përfundoi Bushati.