Afrim Caka, autori i librit “Ata u vranë, lanë pas vetes historinë”, një ditar burgu me masakrat që serbët kanë bërë në Gjakovë dhe në burgun e Dubravës, Lupjanës dhe Nishit, ka treguar më me detaje se si ai dhe shokët e tij të burgut janë torturuar dhe akuzuar pa faj.
I ftuar në emsionin “Opinion” në Tv Klan, Caka ka treguar vitet që ka bërë burg dhe akuzat me të cilat është përballur.
Afrim Caka: Në 81-shin kam qenë 18 muaj, i akuzuar për pjesëmarrës në demonstrata në Gjakovë, isha 30 e sa vjeç. Pastaj më arestuan në 1984 edhe aty u dënova 16 muaj për grisjen e një flamuri serb, që nuk e kisha grisur. Pastaj filloi kalvari kur kam shkruar në ushtri nga burgu i Nishit dhe aty kam shkuar në ushtri dhe më kanë akuzuar për çdolloj ngjarje që ka ndodhur në Gjakovë. Herën e fundit u arrestova më 10 Maj 1999 dhe u dënova me 12 vite burg. Dola nga burgu në Prill të 2001-shit. U akuzova për terrorizëm dhe për 3 vrasje dhe 2 plagosje. Nuk kisha vrarë askënd.
Teksa sjell detaje tronditëse të jetës së tij në burg, Caka kujton dhe një masakër të zgjatur për 4 ditë me radhë, skena të cilat thotë se shikohen vetëm në filmat horror.
Afrim Caka: Na akuzuan që kemi cilësi të barutit. Na mbyllën në hangar. Na mblodhën 300 e sa veta. Në mesin e tyre kanë qenë edhe 2 romë. Natë për natë bastisje, tortura. Një barbari shtatzarake ndaj të burgosurve. Ka pasur dhe tortura të mëdha. Pastaj morëm rrugën për burgun e Pejës. Burgu ishte i stërmbushur dhe na çuan në një hangar të një biznesmeni dhe aty filloi kalvari tjetër i dhunës, rrahje dhe dhunë fizike.
Na transferuam në burgun e Dubravës. Aty kur u futëm, ishim dobësuar aq shumë sa nuk e njihnim veten. Aty ishim 154 burra e krejt ishin të pafajshëm. Kishin njerëz që kishin sëmundje të rënda, ishin të paralizuar dhe ata i akuzuan. Prej Pejës deri në Dubravë ishte rrugëtimi drejt arkivolit.
Malazezët ishin më barbarët dhe më kriminelët. Në burgun e Dubravës kam qëndruar rreth 7 ditë. Pastaj filloi masakra më e tmerrshme më datën 18-19-21-22 Maj, u vranë përnjëherë 100 e sa veta. Një ditë më parë isha plagosur në gju. Plaga ime ishte e lehtë në krahasim me të tjerët.
110 vetë u vranë në mëngjes dhe 30 në mbrëmje. Shumë veta na kanë vdekur në duar dhe aty kam parë se si duken organet e trupit në tokë. Njerëz pa duar dhe pa kokë. Ajo ishte një kasaphanë e vërtetë që mund ta shikoj vetëm në filmat horror.