Duket se debati i nxehtë për MEPJ do të vijojë mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të shtetit Ilir Meta dhe tashmë për delegimin e kompentecave të Ramës si ministër i Jashtëm tek Gent Cakaj. Ky i fundit nuk u dekretua nga Presidenti Meta.
Prej dy ditësh Meta teksa pyetet nga gazetarët për këtë rast thotë se nuk përfshihet në punët e qeverisë, duke paralajmëruar se Kushtetuta e përcakton qartë se kush duhet të lidhë marrëveshje ndërkombëtare në emër të Republikës së Shqipërisë.
Por kush është vendimi i Kushtetueses që i referohet Meta? Është vendimi mjaft i njohur nr. 15 e vitit 2010, për rrëzimin e marrëveshjes së 2009 për delimitimin e zonave detare me Greqinë. E në fakt, Kushtetuta e përcakton se në çdo marrëveshje ndërkombëtare ku kërkohet ministri i Jashtëm, duhet të jetë pikërisht ky i fundit.
Aktualisht në diskutim është një marrëveshje e re me shtetin fqinj, por që tashmë ka mbetur pezull, pasi të dy ministrat që nisën përpjekjet për zgjidhjen e një pakete mosmarrëveshjesh, Nikos Koztias në Greqi, dhe Ditmir Bushati në Shqipëri, nuk janë më.
E kur Meta thotë se nuk ndërhyn në punët e qeverisë, por ka parasysh këtë, sigurisht që përplasja e radhës do të jetë për këtë çështje. Pasi Kushtetuta e përcakton qartë se është ministri ai që firmos marrëveshje ndërkombëtare në emër të Republikës së Shqipërisë. E Cakaj është zv.ministër që Rama i delegoi firmën.
Diskutime të tilla janë ndezur dhe për faktin se në Shqipëri nuk ka një Gjykatë Kushtetuese, e deri në krijimin e saj përplasja mes dy institucioneve, atij të Presidentit dhe të Kryeministrit do të vijojë.
Meta më 23 janar
“Presidenti nuk ndërhyn dhe nuk komenton për aktet e organizimit të brendshëm të ekzekutivit apo të ministrive. Unë si President i Republikës respektoj Kushtetutën dhe i kam shumë të qarta kompetencat e mia se cilit institucion mund t’i delegoj autoritetin kushtetues për të lidhur marrëveshjet ndërkombëtare në emër të Republikës së Shqipërisë”
Meta më 24 janar
“Nuk kam asnjë koment për veprimet e brendshme të qeverisë apo të pushtetit vendor. Unë i kam të qartë si President i republikës dhe për shkak të vendimit vizionar të Gjykatës Kushtetuese se institucioni mund t’i delegojë autoritetit kushtetues për të lidhur marrëveshje ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë”
