Anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste dhe deputeti i kësaj force politike, Arben Pëllumbi ka dhënë një intervistë për emisionin “Dekalog” të gazetarit Roland Qafoku, në të cilin ka zbuluar se si pritet të përzgjidhet emri i presidentit të ri të Republikës së Shqipërisë. Pëllumbi u shpreh se përzgjedhja e emrit do të vijë nga propozimet konkrete që do bëjë çdo deputet i Partisë Socialiste.
“Të 74 deputetëve të Partisë Socialiste do t’u shpërndahet një letër me zarf në të cilin duhet të shkruajnë tre emra si kandidatë të mundshëm që ata mendojnë për të qenë president i Republikës.
Në fund këto do dorëzohen në një komision të posaçëm që do nxjerrë rezultatin se cili emër rezulton më i preferuari.
Mbi bazën e këtij rezultati pritet të bëhet edhe përzgjedhja e emrit zyrtar”, deklaroi Pëllumbi.
Ndër të tjera, ai tha se nga ajo që ka kuptuar dhe që ndjehet si frymë, gjasat më të mëdha janë që presidenti i ri pritet të jetë nga radhët e Partisë Socialiste.
Theksojmë se presidenti i ri që do të zgjidhet do të jetë i 11-ti në historinë e shtetit shqiptar që nga Ahmet Zogu, i cili është i pari në këtë detyrë në vitin 1925 dhe që pasohet nga Omer Nishani dhe Haxhi Lleshi gjatë regjimit komunist.
Ndërkohë, pas vitit 1990 janë zgjedhur gjashtë presidentë. Nga këta, katër janë zgjedhur nga radhët e Partisë Demokratike, Sali Berisha, Alfred Moisiu, Bamir Topi, Bujar Nishani, një nga radhët e Partisë Socialiste, Rexhep Meidani, një nga LSI, Ilir Meta, dhe një nga PPSH Ramiz Alia.
