Kryeministri Edi Rama gjatë inaugurimit të rikonstruksionit të qendrës shëndetësore nr.1 në Tiranë foli dhe mbi rastin e sanitares së COVID2, e cila mashtroi vajzën e një paciente me koronavirus të shtruar në këtë spital.

Duke e konsideruar një akt të shëmtuar Rama tha se ajo nuk mund të përbaltë trupën e denjë të bluzave të bardha. “Çdo pyll ka derrat e vet, po kurrësesi ata që abuzojnë me bluzën e bardhë nuk janë shumica dërrmuese e mjekëve dhe infermierëve të përkushtuar shqiptarë”, thotë Rama.

Rama tha sot nga ambientet e reja të Qendrës Shëndetësore nr. 1 në Tiranë se e vetmja gjë që e ka ngrohur në këtë ngjarje ka qenë puna e gazetarëve investigativë, ku nuk ka rezultuar që ajo sanitare të ishte e lidhur me mjekë dhe ky të ishte një zinxhir.

“Realisht e vetmja gjë që më ka pëlqyer apo më ka ngrohur në atë ngjarje ka qenë puna e bërë nga gazetarët investigativë sepse kanë nxjerrë në pah një llum, natyrisht tejet të papërtypshëm por njëkohësisht nuk kanë provuar, përkundrazi, me gjithë investigimin e tyre nuk ka rezultuar që ajo sanitare të ishte e lidhur me mjekë dhe ky të ishte një zinxhir. Duhet të jetë një kambanë alarmi, për të gjithë dhe në radhë të parë për njerëzit që janë në nevojë që nuk duhet të ndjekin rrugë të tilla sepse ne jemi të gjithë në dispozicion. Patjetër që siç nuk ka pyll pa derra nuk ka asnjë sistem dhe asnjë sektor ku që të mos gjenden fundërrina të tilla që mund të jenë dhe mjekë, por kjo nuk e zhbën punën, gjithë sakrificën dhe madje në këtë rast të pandemisë dhe heroizmin e mjekëve. Disa nga kolegët tuaj kanë humbur jetën dhe faktikisht ju jeni më të ekspozuarit dhe jo vetëm që nuk keni lënë njeri rrugëve apo pa trajtuar përkundrazi keni vënë jetën tuaj në rrezik të përditshme, pavarësisht se të gjithë janë garantuar me mjete mbrojtëse etj. kjo flamë nganjëherë nuk pyet për asgjë. Besoj që me gjithë këto ndryshime që po bëhen edhe nga pikëpamja e infrastrukturës dhe nga pikëpamja e pagave, dhe në këtë aspekt duhet të ketë përmirësime. Patjetër që nuk do të ndalemi këtu, ne jemi në diskutim për të kaluar në një fazë tjetër me sistemin dhe për të krijuar më shumë pavarësi, administrative nga ana e strukturave shëndetësore dhe për t’iu dhënë mundësi dhe atyre që punojnë më shumë që të paguhen më mirë, me bonuse”, tha Rama ndër të tjera.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here