Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka mbërritur në Presidencë dhe ka kryer homazhe për ish-Presidentin Bujar Nishani. Në ceremoni ka marrë pjesë dhe ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë Yuri Kim.
Po kështu në homazhe kanë marrë pjesë dhe personalitete të shumta, ministra, deputetë, bashkëpunëtorë dhe miq. Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela gjithashtu ka kryer nderime për ish-Kreun e Shtetit.
Dje Presidenti i Republikës, Ilir Meta çmoi me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, më të lartën e shtetit shqiptar, ish-Presidentin Bujar Nishani (pas vdekjes).
“Në vlerësim të kontributeve të shquara në të gjitha detyrat e larta shtetërore, për forcimin e demokracisë dhe institucioneve, për integrimin euro-atlantik dhe evropian të vendit, për mbrojtjen dhe promovimin e interesave kombëtare.
Në nderim të integritetit dhe dinjitetit të lartë njerëzor, si model i burrështetasit që punoi me përkushtim dhe përgjegjshmëri në shërbim të atdheut”, ishte motivacioni i dekorimit.
Bujar Nishani, i cili shërbeu si president i Republikës së Shqipërisë nga 24 korriku i vitit 2012 deri më 24 korrik të vitit 2017, vdiq në moshën 56-vjeçare si pasojë e komplikimeve shëndetësore.
