Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla i ka bërë thirrje prokurorisë që të mos pushojë çështjen e ÇEZ. Në një prononcim për mediat, Balla tha se Nue Kalaj kandidon në komunën e Prizrenit për anëtar të këshillit komunal, duke iu përgjigjur kështu prokurorisë se nuk po e gjejnë dot.
“Jam sot këtu për ti bërë thirrje prokurorisë së Tiranës dhe gjykatës që kursesi të mos përdorë makinacione për ta pushuar çështjen në ngarkim të Sali Berishës, Nue Nik Kalaj, Shkëlzen Berishës e të tjerë si këta për të cilët ne kemi bërë kallzim penal dhe unë i qëndroj një për një akuzës së bërë me vendim të Kuvendit të Shqipërisë, komisionit hetimor se qytetarët shqiptar kanë humbur 419 milionë euro nga një proces i turpshëm privatizimi të OSSH, ÇEZ e më pas rishtetësimit nga qeveria e asaj kohe. Dua ta përdor këtë moment për t’i bërë thirrje prokurorisë që të vijojë hetimet Sepse është e turpshme që deri më sot pas më shumë se 18 muajsh nga koha kur është bërë kallzimi penal nuk mund të na thotë prokuroria që nuk gjen dot Nue Kalaj që kandidon në Kosovë në komunën e Prizrenit për anëtar të këshillit komunal”, tha Balla.
Ai tha se reforma në drejtësi do të vijojë pavarësisht protestave të opozitës.