Një ditë pas samitit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor q; u mbajt në Tiranë, kryeministri Edi Rama këtë të mërkurë, ndodhet në Bruksel në sesionin e diskutimit rreth Samitit me Stevo Pendarovski, presidentin e Maqedonisë së Veriut dhe Dritan Abazović, kryeministrin e Malit të Zi. Në fjalën e tij, Rama tha se Tirana i dha dje Europës shumë buzëqeshje dhe diell.
“Kur dikush më pyeti, çfarë Shqipëria mund t’i sjellë Europës? I thashë mund të sjellim buzëqeshje dhe dje sollëm buzëqeshje. I patë fytyrat e tyre dje? Ishin më mirë se sa kur mblidhen në Brukselin e mërzitshëm, në kryeqytetet depresive e të mëdha.
E bukur ishte fotoja në grup dhe dëgjoja pas meje, dielli, shikoje diellin, sa diell i bukur. Dukej sikur kishin dalë nga një shpellë dhe po i gëzoheshin diellit. Këto janë gjërat e mira që i dhamë dje BE. Për të folur për buzëqeshjen, është më e thellë se ajo që duket. Ne kurrë nuk jemi të mërzitshëm. Ne jemi shumë besnikë dhe popullariteti i BE në Shqipëri vijon të mbetet shumë i lartë”, tha Rama.
