Pensioni i reduktuar i pleqërisë është pjesë e pensionit të plotë, por nëse aplikoni për të siguruar këtë pagesë duhet të dini se ky lloj pensioni do të mbetet i tillë përgjatë gjithë kohës së përfitimit. Çka do të thotë se edhe kur të mbushni moshën e përcaktuar për pensionin e plotë të pleqërisë, ju nuk do të mund të ndryshoni masën e përfitimit të reduktuar që jeni duke marrë.
Referuar kushteve të përcaktuara në ligjin e sigurimeve shoqërore, personat e siguruar kanë të drejtë që të aplikojnë për pension pleqërie të reduktuar kur përmbushin dy kushte që kanë të bëjnë me moshën dhe vjetërsinë kontributive, teksa nuk duhet të jeni duke kryer veprimtari ekonomike. Kështu, çdo i siguruar mund të kërkojë të bëhet pjesë e skemës së pensioneve të reduktuara të pleqërisë deri në 3 vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension të plotë të përcaktuar në nenin 92 të ligjit të sigurimeve shoqërore (dhe kanë plotësuar vitet e sigurimit të kërkuara), ndërkohë që nuk duhet të kryejnë veprimtari ekonomike si: të punësuar, punëdhënës, ose të vetëpunësuar.
“Pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit”, bëjnë me dije autoritetet e sigurimeve shoqërore.
Sipas tyre, ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i plotë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit, para mbushjes së moshës së përcaktuar në nenin 92 të ligjit, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit të pensionit të plotë të pleqërisë, për personat që plotësojnë kushtet e parashikuara për pensionin e reduktuar është 0,6 për qind në muaj.
Pensionet e plota të pleqërisë, ato të reduktuarat, pensioni social, pensionet e e invaliditetit, ato familjare, si edhe të ardhurat nga aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale indeksohen çdo vit për të kompensuar pasojat e ndryshimit të çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve të zgjedhura për nivelin minimal të jetesës së pensionistëve. Është Këshilli i Ministrave cakton listën e mallrave të zgjedhura, mbi të cilën llogaritet indeksi, metodën e llogaritjes dhe datën e indeksimit.
Çdo personi i siguruar ka të drejtë të kërkojë nga skema e sigurimeve shoqërore përfitime sa herë që mendon se i plotëson kushtet për përfitimin e tyre. Kërkesat, së bashku me dokumentet e përcaktuara në rregulloren e Institutit të Sigurimeve Shoqërore duhet të paraqiten dhe të administrohen nga sportelet e shërbimit, në ato bashki ku ndodhet vendbanimi i përhershëm i personit, sipas procedurave të parashikuara. Tashmë aplikimet për daljen në pension, si dhe llojet e tjera të të ardhurave të kësaj skeme mund të bëhen edhe online në portalin e-albania, duke ndjekur procedurat e përcaktuara.
Pensionet caktohen nga zyrat rajonale të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, brenda ditës së fundit të muajit të ardhshëm nga data e pranimit të kërkesës dhe dokumentave të plota e të sakta për pension. Ndërsa përfitimet afatshkurtra për degët e sëmundjes, barrëlindjes dhe aksidenteve në punë për personat e punësuar do të llogariten nga qëndrat e punës, kurse për personat e tjerë ekonomikisht aktivë, nga zyrat lokale të sigurimeve shoqërore, teksa përfitimet afatshkurtra për papunësinë caktohen nga zyrat e punësimit. Në çdo rast, dokumentacioni, kriteret dhe procedurat e caktimit të tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.