Ndonëse më të zbehta se një vit më parë, presionet mbiçmuese të lekut janë rishfaqur në tregun valutor, të nxitura nga rritja e ofertës valutore që vjen si pasojë e zgjerimit të mëtejshëm të flukseve hyrëse të turizmit. Prej datës 1 korrik e deri më sot, euro është këmbyer me më pak se 100 lekë në 5 raste.
Shqipëria ka një kurs këmbimi të lirë dhe jo të fiksuar, që nënkupton se Banka Qendrore e lejon kursin të vetërregullohet dhe nuk ndërhyn përveçse në raste të jashtëzakonshme. Për shkak të rënies drastike të euros në raport me lekun, Banka po ndërhyn rregullisht në kursin e këmbimit duke blerë valutë për të nxjerrë sasinë e madhe të eurove nga tregu vendas.
Leku mbetet në pozita të forta edhe si rezultat normës së lartë bazë të interesit. Ndaj vendimi i fundit i Bankës së Shqipërisë për uljen me 0.25 pikë përqindjeje të normës bazë të interesit, si për lekun ashtu edhe për euron, nga niveli 3.25% në nivelin 3.0%, pritet të zbusë trendin e mbiçmimit të mëtejshëm të monedhës vendase.
Nga ana tjetër, forcimi i lekut ka bërë të mundur rënien e inflacionit, duke shërbyer si faktor kryesor kundër rritjes së çmimeve. Kështu, në muajin qershor inflacioni ra në 2.1% duke përmbushur objektivin e Bankës së Shqipërisë për ta mbajtur inflacionin nën nivelin 3%.
Duke marrë parasysh faktin që importi i mallrave kryhet në monedhën euro, forcimi i lekut i ka bërë më të lira mallrat dhe shërbimet që blihen jashtë vendit, por ka dëmtuar sektorët eksportues të ekonomisë shqiptare. Të dhënat nga INSTAT tregojnë se vetëm në 5 muajt e parë të vitit, eksportet u tkurrën me 16.1%.
Krahas të ardhurave nga turizmi të cilat arritën në 788 milionë euro në 3 muajt e parë të vitit dhe që pritet të shtohen më shumë gjatë muajve të verës, edhe prurjet e larta të emigrantëve kanë ndikuar në praninë e madhe të eurove në vend. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, prurjet valutore të emigrantëve arritën në 242 milionë euro në 3 muajt e parë të këtij viti, duke pësuar një rritje vjetore me 13%.