Ambasadori i Federatës Ruse në Shqipëri Mikhail Afanasiev, konfirmon se Ballkani është i rëndësishëm për Rusinë dhe interesat e saj. Në një intervistë për Euroneës, diplomati rus thekson se Rusia është e interesuar për këtë rajon, i cili nuk është shumë larg kufijve të saj. “Gadishulli i Ballkanit është i rëndësishëm për Rusinë. Nuk e fshehim këtë. Rusia ka qenë prej kohësh e pranishme në Ballkan, jo 30-40 vitet e fundit, por prej disa shekuj. Do të ishte e gabuar të themi se ne zhvillojmë marrëdhënie vetëm me vendet ortodokse, pasi ndër partnerët tanë më të mëdhenj është kryesisht Turqia. Natyrisht, ne kemi marrëdhënie të ngushta me Greqinë. Vendet e ish-Jugosllavisë janë gjithashtu midis partnerëve tanë të suksesshëm. Prandaj, nuk mund të thuhet se Rusia ka një orientim përzgjedhës ndaj shteteve të caktuara në këtë rajon. Me dikë marrëdhëniet janë më të mira, me dikë tjetër jo edhe aq. Rusia është e interesuar që në këtë rajon, i cili nuk është shumë larg kufijve tanë, të mbretërojë paqja, stabiliteti, qetësia dhe prosperiteti ekonomik. Për ne kjo është e rëndësishme si nga pikëpamja e sigurisë sonë, ashtu edhe nga pikëpamja e bashkëpunimit ekonomik, me dobi të ndërsjellë, me të gjitha vendet e rajonit. Ne të gjithë jemi fqinjë, pjesë e një rajoni, ku shtrihet Deti i Zi, meqë ra fjala, Shqipëria, gjithashtu, është vend anëtar i Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi. Ne jemi partnerë në organizata mbarëevropiane, të tilla si OSBE. Të gjitha vendet e rajonit kanë për qëllim hyrjen në BE, i cili është partneri ekonomik më i madh i Rusisë. Nisur nga kjo pikëpamje, paqja, stabiliteti dhe bashkëpunimi janë interesi ynë i vetëm në rajonin e Ballkanit”, thekson Mikhail Afanasiev.
Postime te ngjashme
Add A Comment
