Situata paraqitet mjaft e tensionuar në bashkitë e djathta, ku po dorëzohen materialet e KZAZ-ve, ndërsa vendorët kundërshtojnë ato.
Beteja nisi për dekretin e Presidenti Ilir Meta, i cili është shprehur për shtyrje të zgjedhjeve dhe që mbështetet nga krerët lokalë të djathtë. Në këtë kuadër ata i kanë kërkuar KQZ-së të lirojë ambientet që i përkasin bashkive, por KQZ nuk e njeh dekretin e Metës, duke kërkuar të vijojë puna.
Në Burrel janë regjistruar mjaft tensione dhe përplasje, ku ndaj policisë janë përdorur dhe shkopinj e gurë. Për pasojë ka pasur edhe të plagosur, teksa raportimet jozyrtare bëjnë të ditur se në vendngjarje kanë qenë edhe fëmijë. Policia është detyruar të përdorë gazlotsjellës për të shpërndarë mbështetësit demokratë.
Në Kamëz gjithashtu situata është mjaft e nderë. Një polic bashkiak ka humbur ndjenjat për shkak të gazit lotsjellës. Ndërkohë mësohet se janë përdorur dhe shkopinj gome. Pas disa orësh tensione, mësohet se njerëzit janë larguar dhe situata paraqitet e qetë, ndërkohë që kanë paralajmëruar se do të kthehen sërish nesër në orën 10:00.

Në Pogradec situata është acaruar në KZAZ nr 67. Ish-deputeti demokrat, Klevis Balliu, shoqëruar nga militantë të PD dhe LSI, kanë kërkuar të lirohen ambientet e KZAZ dhe të nxirren materialet zgjedhore. Ai ka debatuar me shefin e komisariatit, duke i kërkuar këtij të fundit të zbatojë ligjin për lirimin e ambienteve të KZAZ, referuar dekretit të Presidentit Ilir Meta për anulimin e datës së zgjedhjeve.
Në Bilisht raportohet se forca të shumta të Policisë së Rendit dhe Forcat Speciale kanë rrethuar KZAZ 70 të qytetit, për të penguar protestuesit, të cilët tentojnë të bllokojnë punën, duke zbatuar dekretin e Presidentit Ilir Meta për shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Mësohet se KZAZ 70 është vendosur në ndërtesën e Qendrës Kulturore të Fëmijëve, ndërsa është hapur dhe po vijon punën.

Edhe në Gjirokastër mbështetës të PD kanë kundërshtuar vendosjen e materialeve zgjedhore, duke pasur tension verbal me policinë.
Në Kukës gjithashtu ka pasur tensione, ndërsa kretari i bashkisë thotë se policia duhet të zbatojë ligjin, pasi çdo veprim pas dekretit të Presidentit është nul.
