Autoritetet doganore të Maltës kanë sekuestruar sërish një sasi të konsiderueshme kokaine, me destinacion portin e Durrësit në Shqipëri dhe atë të Bar në Malin e Zi.
Sipas një njoftimi të “Custom Malta” në Facebook ditën e shtunë bëhet fjalë për tre kontenierë të tjerë me kokainë në Freeport, me një vlerë prej 15.7 milionë euro.
Bëhet fjalë për 120 pako kokaine, me një peshë prej 144 kg. Kjo është fundjava e tretë që në Freeport kapet kokainë që vinte me kontenierët nga Amerika e Jugut, pas asaj më 7 dhe 14 prill, ku sërish një prej destinacioneve ishte porti i Durrësit.
Lexo edhe- Sekuestrohen 10.3 mln euro kokainë në Maltë, destinacion dhe Porti i Durrësit
“Dy kontenierët e parë, të cilat kalonin tranzit në Maltë, nga Amerika e Jugut për në portin e Durrësit, në Shqipëri, përmbanin 20 pako kokainë, me peshë 48 kg dhe me një vlerë prej 5.4 milionë eurosh. Në kontenierin e tretë zyrtarët e Doganës gjetën 80 pako kokainë, me peshë 96 kg dhe me një vlerë prej 10.8 milionë eurosh. Ky kontenier kalonte tranzit në Maltë nga Amerika e Jugut për në portin Bar, të Malit të Zi”, bëjnë të ditur autoritetet malteze.