Aksidentet rrugore në Shqipëri vijojnë të mbeten shqetësuese, kur edhe kohët e fundit kanë ndodhur humbje tragjike. Përveç këmbësorëve, mes për mes autostradës kalojnë edhe persona me biçikletë apo të ngarkuar me thasë me produkte bujqësore.
Në zonën e Dushkut kryesisht, në Golem të Lushnjes, aty ku tokat bujqësore ndahen mes për mes nga ky aks nacional, bën që në shumicën e rasteve jo vetëm si këmbësorë të kalojnë banorët, por edhe biçikletat, thasët e ngarkuara me produkte bujqësore, apo çfarëdolloj transporti që kryejnë jo me automjete, por me krahë.
Problemet vijojnë. Kësaj here me bagëtitë. “Një tjetër problem është edhe kalimi i bagëtive. Në Lushnje-Fier ka raste kur blegtorët për të kaluar tufat e bagëtive në njërin kah të rrugës gjejnë momentet në orët ku duhet të mbledhin bagëtitë dhe i kalojnë tufat e bagëtive në autostradë. Ka pasur bagëti që kullosin buzë autostradës”, raportoi gazetarja Sefa.