Ish-presidenti i SHBA, Bill Klinton mbërriti sot në aeroportin e Rinasit për të nisur me vizitën e tij zyrtare në Shqipëri. Ai u prit në aeroport nga kryeministri Edi Rama.
Presidenti Bajram Begaj, në mesazhin e tij përshëndetës, teksa i uron mirëseardhjen, shkruan se shqiptarët i janë përjetë mirënjohës për gjithçka që ka bërë për kombin tonë e në veçanti për Kosovën.
“Mirë se vjen në Tiranë Presidenti Clinton! Shqipëria dhe shqiptarët ju janë përjetë mirënjohës për gjithçka që keni bërë për kombin tonë e në veçanti për Kosovën. Vendimmarrja dhe lidershipi juaj në ditët më vendimtare për të ardhmen e Kosovës ju kanë vendosur në piedestalin e miqve tanë më të shtrenjtë. Ju faleminderit nga zemra!”
Ceremonisë në nderin e tij, do t’i paraprijë një takim me kabinetin qeveritar në orën 18.30, ndërsa 30 minuta më pas në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë Kryeministrisë, qytetarët do të munden të ndjekin nga afër fjalimin e tij.