Një emigrant i sapokthyer nga Italia ka shkaktuar plagosjen e dy personave brenda një harku të shkurtër kohor.
Viktimë e agresionit të tij me thikë ka rënë një kamarier dhe vetë nëna e të riut. 26- vjeçari me iniciale G.M. është arrestuar në kushtet e flagrancës pak pas ngjarjes. Mësohet se i riu ka plagosur me thikë nënën e tij, por edhe një tjetër shtetas.
Sipas burimeve nga Policia e Vlorës, 26- vjeçari ka shfaqur probleme psikologjike dhe në momentet kur ka kryer sulmet me thikë, ka qenë në gjendje mjaft të rënduar psikologjike. 26-vjeçari vetëm pak kohë më parë ishte kthyer nga Italia.
Që prej kthimit, sjellja dhe gjendja e tij kishte ndryshuar tregojnë të afërmit. Fillimisht, 26-vjeçari G.M. ka goditur me mjet prerës (thikë), një kamerier në zonën e Lungomares, në momentet kur ka shkuar për të konsumuar një kafe në lokal. Pas kësaj ngjarjeje mësohet se 26-vjeçari është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes drejt banesës së tij, ku pas një konflikti, menjëherë pas mbërritjes në shtëpi, ka goditur dhe nënën e tij po me mjet prerës.
Në momentet e gjendjes së rënduar, 26-vjeçari ka tentuar të godasë edhe babain e tij, i cili ka arritur të shpëtojë duke u fshehur në shtëpi. Pas kësaj, i riu është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Disa metra larg banesës së tij, 26-vjeçari është kapur nga forcat e Policisë. Mësohet se në momentet e arrestimit, gjendja psikologjike e tij ishte mjaft e rënduar.
Nga ana tjetër, gjendja e personave të plagosur mësohet se mbetet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa 26-vjeçari akuzohet tashmë për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Dhunë në familje”. Por ajo që mbetet e dyshimtë lidhet me reagimin e Policisë, ngjarje të cilën e ka mbajtur të fshehtë deri tri ditë më vonë, pavarësisht arrestimit të agresorit.
Nga ana tjetër, pritet që gjatë hetimeve, të riut t’i kryhet dhe ekzaminim për përcaktimin e gjendjes së tij mendore.
Banorë të zonës pranë vendit ku u arrestua 26-vjeçari kanë deklaruar për Policinë se i riu ishte gati të qëllonte këdo që i afrohej duke shkaktuar panik. Kjo ngjarje ka risjellë në kujtesë vrasjen e 8-fishtë në fshatin Resulaj, ku Ritvan Zykaj vrau me kallashnikov të afërmit e tij.