Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka akuzuar qeverinë se ka krijuar situatë oligopol në tregun e karburanteve duke e bërë atë përgjegjëse për rritjen e çmimeve ditët e fundit.
Duke folur në nisje të seancës, ai tha se qeveria lejon abuzimet të cilat po rëndojnë edhe në artikujt e shportës së qytetarëve.
“Sot qytetarët shqiptarë kanë shqetësimin kryesor rritjen e çmimit të naftës që po reflekton në rritjen e të gjitha çmimeve të tjera të shportës dhe që po e pamundësojnë jetën. Shikojeni se si është krijuar një treg monopol ose oligopol nga Qeveria që çmimet të rriten sapo dëgjohet që në bursa do të ketë një rritje, sapo dëgjohet që do të ketë një luftë nëpër botë, ndërkohë që nuk ulen kurrë kur ka ulje të çmimit të naftës në bursë”, tha Salianji.
Sipas tij “Partia Demokratike do të marrë të gjithë hapat e domosdoshëm për të kthyer besimin e cënuar te publiku shqiptar”.
