Enti Rregullator i Energjisë, tha sot përmes një deklarate për mediat, se në muajin nëntor dhe dhjetor, do të aplikohet çmimi 42 lekë për kilovat mbi fashën 800 KW. Kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi në Bulqizë në praninë e dhjetra vajzave dhe grave, foli edhe për implementimin e fashës 800 KW për energjinë elektrike. Edhe pse ERE doli me këtë rritje të energjisë, vendimin final do ta marrë qeveria.
“Ne kemi vendosur një mburojë financiare që gjithë diferencën e paguan shteti, për familjet dhe biznesin e vogël. Pashë sot që ERE kishte nxjerrë çmimin e ri, por ne do vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë qoftë për familjarët qoftë për çdo biznes të vogël sepse kështu bëjmë edhe tjetrën, mbajmë inflacionin më ulët se vendet e tjera të rajonit pavarësisht se çmimet janë rritur”, tha Rama.
Nga ana tjetër, theksoi domosdoshmërinë e mbrojtjes së familjeve nga goditja e çmimit të energjisë elektrike. “Nëse ju vjen një faturë energjie më e lartë se kjo sot, jeta bëhet më e vështirë dhe nëse vjen fatura sa kushton realisht energjia sot, bëhet e pamundur. Nëse sot 1 kilovat paguhet 9.5 lekë, imagjinoni 44 lekë, është e pamundur. Ndaj ne kemi vendosur një mburojë financiare që gjithë diferencën e paguan shteti ndërkohë që çmimi në tregjet ndërkombëtare rritet, nuk ulet. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë se kjo është gjëja e duhur si për familjarët dhe çdo biznes të vogël”.
