Kryeministri Giuseppe Conte, u ka drejtuar një mesazh shpresëdhënës italianëve ndërsa vendi po kalon në fazën e fundit të zbutjes së masave të izolimit që kishin si qëllim luftimin e koronavirusit.

“Ne e meritojmë të buzëqeshim, të gëzohemi, pas disa javësh sakrifica të mëdha”, ka thënë ai të mërkurën. Ai ka shtuar se tani është koha që ky shtet të nisë së zbatuari reformat ekonomike. Me më shumë se 33,600 viktima dhe gati 234,000 raste të të infektuarve me koronavirus, Italia u kthye në një nga shtetet më të prekura nga Covid-19. Vetëm Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar kanë regjistruar numër më të madh viktimash deri më tani. Komentet e Contes kanë ardhur në ditën në të cilën vendi hyri në fazën e fundit të lehtësimit të masave, duke lejuar tani udhëtimet e brendshme mes rajoneve dhe hapjen e kufijve ndërkombëtarë. Megjithatë, Konte ka vazhduar të bëjë thirrje për kujdes në kohën e pandemisë, duke theksuar se “masa më efektive kundër virusit është distanca fizike dhe përdorimi, nëse ka nevojë, i maskës”.

Në prag të lehtësimit të masave, presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, po ashtu paralajmëroi se kërcënimi nga koronavirusi, nuk ka kaluar ende. “Kriza nuk ka kaluar, institucionet dhe qytetarët do të duhet të përballen ende me pasoja dhe trauma”, tha ai.

Por ndërsa Italia po hapet, vendet e tjera hezitojnë të bëjnë të njëjtën gjë, të paktën jo për të. Vendi më i fundit evropian që vendosi të heqë kufizimet kufitare të lidhura me koronavirusin me vendet fqinje, por duke përjashtuar Italinë, është Austria. Më herët Zvicra bëri të njëjtën gjë ndërsa gjermania ka zëvendësuar paralajmërimin për të mos udhëtuar jashtë vendit me këshilla për udhëtimin. E kjo situatë, ka shkaktuar jo pak zemërim në Itali me ministrin e jashtëm Di Maio që bëri apel që italianët të mos konsiderohen si lebrozë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here