Gjashtë mësues ndodhen aktualisht në spital, duke u trajtuar për koronavirusin.
Kështu është shprehur ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, Evis Kushi.
Ndërsa që nga fillimi i pandemisë shtatë të tjerë kanë humbur betejën me Covid.
Kushi deklaroi se nuk ka aktualisht asnjë shkollë apo kopsht në vend i cili të jetë mbyllur për shkak të numrit të infektimeve.
Ministrja sqaroi se në rastet kur konfirmohet mësuesi me Covid, ai vetkarantinohet dhe zëvendësohet me një mësues tjetër deri në negativizimin e tij.
“Ndodh që të mbyllet ndonjë shkollë apo kopsht për shkak të dezinfektimit, 1 apo dy ditë, por nuk kemi në asnjë rast që shkolla apo kopshte të jenë mbyllur për këtë shkak”, tha Evis Kushi për ABC.
Mbi vendimin për të mbyllur universitetet që mësimi të vazhdojë “on-line”, ajo tha , “ne e dimë shumë mirë që Komiteti i Ekspertëve ka të gjithë mundësitë për të vlerësuar situatën, dhe pas konsultimeve, analizave, informacionit dhe eksperiencave, arritën në këtë konkluzion, kështu që këtë gjë nuk mund ta them unë. Konviktet mund të jenë shkaktarë për përhapjen e sëmundjes”.
“Për ne është e rëndësishme që të minimizohet kontakti. Kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me ta, dhe më vjen mirë që janë marrë të gjithë masat”.
Ministrja shtoi se askush nuk po fsheh infektimet në shkolla.
– “Nuk ka asnjë udhëzim dhe nuk ka asnjë urdhër, që të censurohet informacioni, në lidhje me infektimin në shkolla. Në rrugë zyrtare ne na informojnë çdo ditë, për çdo problematikë në çdo shkollë. Është një sistem që funksionon më së miri”.
“Nuk është detyra e mësuesve që të informojë çdokënd në lidhje me infektimet në shkolla”, – tha ajo.
Për sa i përket skenarëve të ndryshëm, ato do të aplikohen në varësi të situatës epidemike,” – shtoi ministrja. – “Ne i kemi përgatitur të gjithë skenarët. Kemi tre skenarë për mënyrën se si do zhvillojmë mësimin. I pari është ky që jemi tani, ndërsa i dyti është kryerja e mësimit të alternuar duke u zhvilluar online dhe në shkolla, ndërsa skenari i tretë është zhvillimi i mësimit online”.
