Koronavirusi ka goditur shumë rëndë futbollin belg, me raste që shtohen dita ditës mes lojtarëve, duke bërë të qartë se për këtë sport do të jetë e vështirë që të ketë javë ku do të luhet rregullisht me këtë virus që qarkullon gjerësisht në Belgjikë. Rasti më i bujshëm është ai i klubit të Vasland Beveren, ku aktivizohet edhe sulmuesi i Shpresave, Din Sula.
Pak ditë më parë, klubi bëri të ditur se kishin rezultuar pozitivë 7 futbollistë, ndërsa testimet e fundit kanë shtuar ndjeshëm këtë shfiër, duke çuar në 16 numrin e të infektuarve në klub. Mes tyre, 13 janë futbollistë e 3 janë pjesëtarë të stafit teknik, duke bërë që e gjithë skuadra të përfundojë në karantinë dhe të jetë nën kontrollin e rreptë të mjekëve.
Sipas vetë klubit, nga autoritetët shëndetësorë është konfirmuar se një prej lojtarëve ka qenë një “supershpërndarës”, siç cilësohet nga epidemiologët një person i cili ka një ngarkesë të madhe virale të virusit dhe infekton shumë persona që ka afër. Nuk dihet nëse ai ka qenë burimi i infeksionit në klub, dhe për momentin nuk janë bërë të ditur emrat e lojtarëve të infektuar. Ndërkohë, është anulluar ndeshjae me Ostenden e parashikuar për sot, ndërsa është në dyshim edhe sfida e fundjavës ndaj Sharlërua
