Ministri i Bujqësisë Blendi Çuçi prezantoi sot në Pukë fermën më të madhe bio në vend. Ajo ka 1400 dhi, 500 dele dhe 140 lopë. Në postimin e tij në Fb ministri shkruan:
Në zonat malore të Komanit, në vendin e njohur si Leja e Dushit në ‘këmbë’ të Alpeve të Shqipërisë, në rreth 10 mijë Ha shtrihet ferma e parë dhe më e madhe bio në Shqipëri. “7 Springs Bio Farm” është çertifikuar për prodhimet organike sipas standardit europian dhe është e specializur në prodhimet e mishit, djathit, qumështit dhe mjaltit. Mbi 1400 krerë dhi, mbi 500 krerë dele dhe rreth 140 lopë ushqehen në kullotë të lirë gjatë gjithë vitit me atë çfarë ofron natyra e pasur e kësaj zone. Mjalti i kësaj ferme ka vlera të rralla ushqyese e kurative. Në fermë nuk përdoret asgjë e automatizuar, çdo proces kryhet si në kohët e vjetra, duke ndjekur traditat e të parëve. Kjo i bën të veçanta dhe me shije unike prodhimet e “7 Springs Bio Farm”.
Vlerë e shtuar e kësaj ferme është edhe fakti se bagëtitë janë kryesisht racë vendase dhe përpunimi i të gjitha produkteve bëhet brenda territorit të fermës në një cikël të mbyllur. Aty ka një baxho, dhoma frigoriferike dhe makina frigoriferike që shpërndajnë produktet brenda dites tek klientët. “7 Springs Bio Farm” është modeli i fermave që ne duhet të nxisim në të gjithë vendin. Armando Ndoka është shembulli i investitorëve, për të cilët ne kemi nevojë dhe meritojnë të mbështeten, për të patur një zhvillim të qëndrueshëm rural në Shqipëri.