Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, tregoi këtë të mërkurë se prioritet i socialistëve për këtë sesion të ri parlamentar është vota e emigrantëve.
“PS e ka një draft për votën e emigrantëve, ndërsa duhet vetëm konsensusi i opozitës që ai të kthehet në ligj. Ftoj këdo kryetar të çdo grupi parlamentar që të shohë me prioritet votën e emigrantëve”, theksoi Çuçi.
Nga ana tjetër, kur u pyet se kë njeh mazhoranca si kryetar të grupit parlamentar të PD, Çuçi u tregua i prerë: “Nuk do të hyjmë kurrë në betejën e brendshme të PD-së. Për ne kanë interes betejat për qytetarët shqiptarë. Partitë kanë rregulla të qarta, ka edhe gjykata, nuk përcaktojmë ne se kush është kreu i një partie të caktuar apo kryetari i një grupi parlamentar të caktuar”.
